FMN: Rritja ekonomike do ngadalësohet, rritja e kostos së jetesës në Shqipëri po ndikon negativisht
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2% në vitin 2023, nga 3.7% që është vlerësimi për vitin 2022.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, thotë në një intervistë për “Monitor” se, rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë.
Si një parakusht për zhvillimin afatgjatë të vendit, shefja e FMN-së e vë theksin në ndërtimin e një sistemi tatimor më të drejtë, më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent, që mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, ndërkohë që do të fuqizojë aktivitetin e brendshëm ekonomik, duke përfshirë stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit. /Monitor
