Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA bastisin shtëpinë e Ervis Martinaj në Fushë Kuqe
Katër muaj pas denoncimit për zhdukjen e tij, Policia e Shtetit ka kryer kontrolle në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe. Që prej orëve të mëngjesit oficerë të FNSH, repartit renea dhe drejtorisë së përgjithshme të policisë kanë mbledhur prova për disa orë. Policia ende nuk ka zbardhur të vërtetën e zhdukjes së personit të shumëkërkuar edhe pse hetimi i ngjarjes ishte një nga detyrat e lëna nga kryeministri për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë kryer kontrolle mëngjesin e sotëm në banesën e biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj në Fushë Kuqe.
Efektivat mësohet se kanë mbërritur atje që prej orëve të mëngjesit, ndërkohë që edhe pas kryerjes së kontrolleve, po qëndrojnë në zonë.
Mësohet se grupi i efektivave që ka hyrë në banesën e familjes Martinaj përbëhet edhe nga forca të repartit RENEA, përveç atyre të ndërhyrjes së shpejtë.
Bastitja mësohet se është pjesë e veprimeve hetimore që policia e shtetit po kryen për të zbardhur fatin e biznesmenit të shumëkërkuar i cili u denoncua i zhdukur nga familja e tij në fillim të gushtit të këtij viti.
"Kontrolle ka patur në territorin përreth shtëpisë së familjes të Ervis Martinaj, pasi është një territor shumë i gjerë. Më pas forcat e RENEA dhe të Ndërhyrjes së shpejtë kanë hyrë brenda me qëllim gjetjen e ndonjë prove apo të ndonjë detaji të ri që do të mund të ndihmonte policinë e shtetit për të mësuar fatin e tij por dhe në kuadër të zbulimit të ngjarjeve kriminale.
Kontrolle ka pasur më parë dhe në hotelin e Ervis Martinaj, në hotel "Arbëria" por kësaj rradhe nuk është preferuar edhe mandati i kontrollit.
Efektivët e policisë dyshohet se kanë pasur informacione dhe prandaj kanë shkuar direkt në banesën e Ervis Martinaj," informon gazetari i Ora News Edison Vatnikaj.

Gjurmët e fundit të Ervis Martinajt janë disa pamje të kamerave të sigurisë, të datës 7 gusht 2022 ku biznesmeni shikohet duke lëvizur në zonën e zogut të zi në Tiranë.
Bashkë me biznesmenin ka qenë edhe punonjësi i policisë, Jeton Lami, i cili rezulton ta ketë lëvizur të kërkuarin në disa qytete të vendit. Për këtë arsye efektivi i policisë u arrestua vetëm pak javë pas denoncimit për zhdukjen e Ervis Martinajt.
Ky i fundit para se të denoncohej i zhdukur, ishte shpallur në kërkim nga SPAK me akuzën e vrasjes dhe grupit kriminal në kuadër të dosjes "Plumbi i Artë".
Drejtori aktual i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka marrë si detyrë nga kryeministri veç të tjerash edhe zbardhjen në një kohë të shkurter të fatit të Ervis Martinajt.
