Arrestohet drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës, Vjola Sterjo

Drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës Viola Sterjo është arrestuar me akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha. Zyrtarja e larte e institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj akuzohet se ka marrë shuma nga 20 deri në 90 mijë euro nga biznese të ndryshme në Korçë, në këmbim të ndërhyrjes pranë AZHBR-së për projektet e financimit që ky institucion ka ofruar ndaj subjekteve private në vlera nga 1 deri në 4 milionë euro.

Drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës Viola Sterjo, 39 vjeçe, është arrestuar nga policia për mashtrim me pasoja të rënda.

Zyrtarja e lartë e bashkisë së kryeqytetit nga viti 2021 e në vazhdim akuzohet se ka kryer veprën panela të mashtrimit në shuma të mëdha.

Burime zyrtare nga policia tha se ndalimi i Sterjos, u bë pasi, Gjykata e Korçës, në datën 26 dhjetor 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për “Mashtrim”, me pasoja të rënda.

Pas vendimit të Gjykatës policia e Korçës ka marrë masa për ekzekutimin e urdhër arrestit duke kontaktuar me policinë e Tiranës për shkak të vend-ndodhjes së 39-vjeçares në kryeqytet.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në policinë e Korçës në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në policinë e kryeqytetit, kanë bërë më pas ndalimin e Viola Sterjos.

Dosja penale që po hetohet nga prokuroria, evidenton faktin se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, shtetasja Viola Sterjo ka përfituar në qytetin e Korçës, shuma të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.

Burimet nga hetimi thanë se drejtoresha e bashkisë dyshohet se ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë deri në 90 mijë euro.

Këto shuma, sipas hetuesve janë marrë nga zyrtarja në këmbim të premtimeve se do të ndërhynte tek AZHBR-ja për të fituar projekte në favor të subjekteve që aplikonin për fonde. Bizneset mësohet se kanë paguar kundrejt përfitimit të projekteve që variojnë nga 1 milion deri 4 milion Euro.

LAJMI SIC MBERRITI NE REDAKSI 


Ora 12:58
 Arrestimi i Viola Sterjos, Ora News siguron 3 denoncime ndaj saj në Korçë e Pogradec, si u mori miliona lekë 

Ora News ka siguruar tre denoncime ndaj saj, nga qytetarë nga Korça dhe Pogradeci.

Në 12 dhjetor 2022 në prokurorinë e Korçës ka bërë kallëzim një qytetar nga Korca i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe në të donte të ndërtonte një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, punonjesë e AKSH-it në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant.

Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.

Një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë Viola Sterjos shuma të ndryshme, 9 mijë euro si fillim dhe më pas 28 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1. 2 milion euro për të ndërtuar një bujtine.

Një tjetër qytetar nga Korca sipas Prokurorisë së Korcës i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milion euro.

Pas disa muajsh denoncuesi i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar Sterjos tja kthente shumën e lekeve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.

Arrestohet drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës, Vjola
Vjola Sterjo

Ora 12:10  Arrestimi, vartësja e Erion Veliajt në Bashki mashtrime me mijëra euro për të siguruar projekte nga AZHBR 


Ora 11: 48 Ja pse u arrestua drejtoresha e Mjedisit e Bashkisë Tiranë, Vjola Sterjo


Ora 11:27 Arrestohet drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës, Vjola Sterjo

Arrestohet Drejtoresha e Mjedisit në bashkinë e Tiranës, Vjola Sterjo. Ora News mëson se asaj i janë vënë prangat për veprën penale të "mashtrimit" Sterjo punon si drejtoreshë e Mjedisit në këtë bashki prej vitit 2021.

Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, akuzohet për përvetësimin e shumave të mëdha nga subjektet tregtare.

Arrestimi i Vjola Sterjos u bë nga policia në ekzekutim të vendimit të nxjerrë nga gjykata. Më përpara ajo ka pasur dhe post drejtues në AKSH

39 vjeçarja është arrestuar  në Korçë

Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti" informoi policia e Korces.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.