U rrahën për një vajzë, Rrumbullaku firmos pezullimin e dy policëve në Elbasan, nis hetimi ndaj tyre

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka miratuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy efektivëve Ervis Hasa dhe Redi Mato, të cilët u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin jashtë orarit të shërbimit.

Mësohet se përplasja mes dy efektivëve të patrullës së përgjithshme të Elbasanit, ka ndodhur për një vajzë. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Ervis Hasa është konfliktuar më herët me Redi Maton. Më pas ky i fundit në bashkëpunim me dy persona të tjerë të cilët ende nuk janë identifikuar, kanë goditur me sende të forta Ervis Hasën, i cili u mjekua në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në 22 dhjetor dhe ndaj dy efektivëve u mor masa e pezullimit nga detyra, masë që është miratuar nga drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku.

Versioni i policisë së Elbasanit për ngjarjen

Më 22 dhjetor u lajmërua se dy efektivë policie ishin pezulluar nga detyra në Elbasan pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin jashtë orareve të punës. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, bën të ditur se janë pezulluar dy efektivët E. H. dhe R. M., punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit dhe ndaj tyre ka nisur hetimin disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore.

Siç bën me dije AMP, rezulton se E.H është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin R. M., 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit. Gjatë konfliktit efektivi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, efektivin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.