Tentuan të kalojnë nga Porti i Durrësit 16 të mitur si ekip sportiv, arrestohen 10 “menaxherët” e “trajnerët”

16 persona, të gjithë 17 vjeç, nga Kosova kanë tentuar që të kalonin nga Porti i Durrësit drejt Italisë ku më pas do të kërkonin azil. Plani ishte i mirëorganizuar, pasi ata ishin kamufluar si një ekip futbolli, por tentativa e tyre ka dështuar pasi janë zbuluar në Durrës. Në pranga kanë rënë 10 shtetas nga Kosova që janë prezantuar si trajnerë, fizioterapistë e ndihmës të ekipit.

10 persona nga Kosova kanë rënë në prangat e policisë në Portin e Durrësit pasi kanë tentuar të kalojnë ilegalisht në Itali 16 të mitur nga Kosova.

Të miturit,të gjithë 17 vjeçarë, janë prezantuar si një ekip futbolli, ndërsa organizatori ka futur në skenë edhe 10 persona të tjerë të cilët janë prezantuar si trajnerë, mjekë, fizioterapistë dhe staf të ekipit.

Sipas policisë personat e arrestuar janë Blerim Bytyqi,  Drilon Shala, Dukagjin Gunga, Fabion Berisha, Fatmir Gjoshi, Qendresa Krasniqi, Ajishe Demaj, Endrit Demaj, Besmir Kadria si dhe Almir Kryeziu, të gjithë të moshës 21 deri në 54 vjeç.

Policia tha se qëllimi ka qenë që të miturit të kaloheshin në Itali, ku më pas do të kërkonin azil atje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000-4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali.

Gjithashtu nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Blerim Bytyqi ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë.

Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur Bytyqit 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.