Rrugët mbesin rrugëve edhe në Vlorë, Banorët: Pushteti erdhi vetëm për vota
Në Vlorë banorët e disa fshatrave janë duke vuajtur mungesën e infrastrukturës rrugore. Ata ankohen për neglizhencën nga institucionet, ndërsa bëjnë thirrje të ndërhyhet për tu lehtësuar jetesën. 6 fshatra e përdorin rrugën nacionale nga Vllahia në Poem, ndërsa shprehin shqetësimet për gjendjen e aksit prej 25 kilometrash.
Kjo është rruga që lidh 6 fshatra në Vlorë.
Banorët e Vllahisë, Gorrishtit, Karbunarit, Romës dhe Poemit, kalojnë çdo ditë nëpër këtë aks të pashtruar dhe pa asnjë investim.
Janë 24 kilometra gjatësi që sipas banorëve nuk është ndërhyrë asnjëherë në të.
“Këtu jemi të bllokuar brenda. Kemi prodhim dhe nuk vjen njeri të na e marri. Pse? Nga rruga. Nga Vllahina deri në Gorrishtit, këtu është lemeri”, shprehet banori.
Mijëra banorë të këtyre fshatrave detyrohen që në vere e në dimër kur situata përkeqësohet ta përdorin rrugën për halle e probleme.
“Fshati ka qenë 470 shtëpi, sot mund të jenë 120 familje të reja lagjet”, thekson një tjetër banor.
Thonë se ndihen të harruar nga pushteti që shkon atje veç për të kërkuar vota.
“Ky fshat këtu njihet vetëm ditët që janë zgjedhjet, vendore dhe parlamentare. Do bëjmë çdo gjë, në prag fushate, mbaron fushata, kush e fiton e mban 4 vite sa ka mundësi dhe prap fillojnë të njëjtat llafe, në zgjedhjet e tjera”, denoncon banori para kamerës.
Segmenti rrugor është një aks nacional nën kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilat janë dy prej institucioneve që i kanë në dorë investimet që nuk janë kryer kurrë këtu.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

