Tetovë, vajza mohon vrasjen e 16-vjeçarit, flet për 2 persona të tjerë, shoqet e të riut kërkojnë drejtësi

Anesa Iseni, vajza e cila dyshohet për vrasjen e 16-vjeçarit nga Novosella gjatë marrjes në pyetje në Gjykatën Themelore në Tetovë ka mohuar veprën e rëndë penale.

Ndërkohë, sipas avokatit Ibrahim Bajrami, vajza 17 vjeçare ka thënë se janë të implikuar dy persona tjerë, të cilët nuk i ka identifikuar.

“Brenda fazës së filluar hetimore, e dyshuara e mitur A.I dha deklaratën e parë zyrtare para gjykatësit për fëmije, prokurorit, punonjësve social edhe prindit të fëmijës me ç’rast e mitura mohoi çfarëdo lloj implikimi apo veprimi që ka shkaktuar pasojat e vdekjes tek i mituri B.S. Nga përmbajta e deklaratës së saj mund të konstatohet një zhvendosje e pistës së hetimit në më së paku dy persona të tjerë deri më tani të pa identifikuar”, tha avokati.

Nga ana tjetër, jashtë 17-vjeçaren e kanë pritur me lot në sy shoqet e Beharit të cilat kanë kërkuar sot drejtësi para Gjykatës Themelore Publike në Tetovë.

Po ashtu, nxënësit organizuan protestë para Gjykatës Themelore në Tetovë, derisa merrej në pyetje e mitura e cila pranoi ditë më parë në Polici se kishte kryer vrasjen makabre natën e 21 dhjetorit.