Edhe të moshuarit në radhë tek Ambasada britanike për viza

Çifte të moshuarish presin në radhë për viza në dyert e ambasadës britanike në Tiranë. Ata thonë se për festa do u u bashkohen fëmijëve që jetojnë prej më shumë se 10 vitesh në Angli. Disa prej tyre nuk e fshehin zhgënjimin me Shqipërinë për shkak të rritjes së çmimeve dhe gjendjes së vështirë ekonomike në vend.

Në derën e ambasadës Britanike në Shqipëri, këtë fundvit po presin kryesisht çifte të moshuarish që kërkojnë të pajisen me vizë.

Dikur emigrantët i mblidhte Shqipëria për fundvit, kurse sot, janë prindërit që duan të largohen për të festuar me fëmijët e ikur në emigrim.

Mes atyre që presin një përgjigje për vizë, ka persona që e përcjellin me zhgënjim gjendjen ekonomike në Shqipëri.

"Çfarë të duan në Shqipëri, as unë, as ato. Asnjë sekond nuk dua të rri këtu. Çcfarë të bëj këtu? Ke ndonjë të ardhme, garanci. Këtu është mafie. Fëmijët për çfarë të vijnë këtu, të prihsin lekët ato 10 ditë. Çdo gjë është katastrofë, me këto çmime çfarë të festojmë," tha një prej tyre.

Ndërsa të tjerë Shqipërinë nuk e ndërrojnë me asnjë vend.

"E kemi vështirë të shkëputemi nga Shqipëria.

Këtu kam gurin tim unë. Këtu në vendin tim do të jetoj," thonë ata.

Të larguar prej më shumë se 10 vjetësh, fëmijët e tyre duket se nuk kanë ndërmend të kthehen në Shqipëri.

"Nuk duan të kthehen. Ku do të shkojnë këtu, me çfarë do jetojnë. Ska të ardhme.

Nuk duan të kthehen se kanë punën atje," thonë ata.