Në atdhe për festa, 3 mijë persona në 4 ditë hynë nga porti i Vlorës në Shqipëri
Emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë vendit tonë duket se kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar Vitin e Ri. Nga deti, toka e ajri, mijëra shqiptarë kanë zgjedhur atdheun e tyre dhe familjet për të kaluar ndërrimin e viteve. Fluksi i udhëtarëve ka nisur që nga data 20 dhjetor në Durrës, Vlorë, Kapshticë e Qafë Thanë.
Emigrantët do të kalojnë festat në Atdhe pranë familjeve të tyre.
800 persona kanë mbërritur në Vlorë mëngjesin e së martës me dy tragete të linjës me Italinë, ndërsa 4 ditët e fundit mësohet se kanë hyrë në Shqipëri nga porti i Vlorës rreth 3 mijë qytetarë.
Këtë vit, sipas të dhënave zyrtare, numri i mbërritjeve është dyfish më i madh sesa një vit më parë.
Sipas shefit të përpunimit të trageteve, Festim Skendaj, fluksi pritet të vijojë edhe në ditet e ardhshme referuar edhe prenotimeve.
"Besoj se fluksi do të vazhdojë deri në datën 31 dhjetor. Vitin e Ri shumë bashkëatdhetarë zgjedhin ta festojnë në vendlindje."
Ata që vijnë thonë se do të kalojnë festat pranë familjarëve.
"Vij për nënën dhe gjyshin."
"Çdo fundvit këtu vij."
Aktualisht në portin e Vlorës për të evituar radhet janë shtuar sportelet teksa punohet me 8 sportele.
Ndërkohë të hënën në Kapshticë kanë hyrë 4056 shtetas dhe kanë dalë 2848, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 2575 dhe kanë dalë 1774 shtetas.
Ndërkohë në Portin e Durrësit që nga data 20 nëntor kur ka nisur fluksi i ushëtarëve kanë hyrë në vendin tonë rreth 20 000 qytetarë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
