Mbyllet pas 3 ditësh greva e personave me aftësi të kufizuar në Elbasan
Personat me aftësi të kufizuar në Elbasan, kanë dalë nga greva pas 3 ditësh. Ka qenë Ministria e Shëndetësisë që ka dërguar një përfaqësues për të bërë një marrëveshje me grevistët. Sipas përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuar, ministria ka rënë dakord për plotësimin e disa kushteve që ata kërkonin, ndërsa ende nuk dihet nëse marrëveshja është për të gjithë personat me aftësi të kufizuar apo vetëm me grevistët.
3 ditë pasi kishin hyrë në grevë të urisë, personat me aftësi të kufizuar në Elbasan i kanë dhënë fund grevës.
Shkak për përfundimin e grevës ka qenë një marrëveshje e arritur mes grevistëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Pasditen e së hënës për të negociauar me grevistët në Elbasan, shkoi zëvendësministrja e shëndetësisë, e cila u premtoi grevistëve plotësimin e disa kushteve që ata kërkonin.
“Na premtoi kthimin e paketës higjienosanitare.Kjo është bërë vetëm për personat që ishin këtu,” tha një prej tyre.
Gjithashtu Ministria, ka vendosur krijimin e grupeve të posaçme që do të shkojnë t’u bëjnë kontrollet e nevojshme nëpër banesat, gjithsecilit prej invalideve të prekur nga ndryshimet e fundit.
Sipas disa ndryshimeve në ligj, personat të cilët kanë dëmtime definitive, pa perspektivë përmirësimi të gjendjes shëndetësore, deklarohen invalidë të përjetshëm dhe duhet të paraqiten një herë në disa muaj pranë Komisionit Mjekësor Epror, por personat me aftësi të kufizuar thanë se e kanë të pamundur një gjë të tillë, ndaj Ministria ka menduar krijimin e një komisioni që do të kryejë kontrollet në shtëpi të këtyre personave.