"Një dritë syri kam, për të rrezikoj jetën", nëna nuk lë vetëm djalin me aftësi të kufizuar në grevën e urisë
Personat me aftësi të kufizuar në Elbasan janë në ditën e tretë të grevës së urisë.
Edhe pse në kushte fizike aspak të mira ato duket se nuk heqin dorë nga rikthimi i kempit që u është hequr.
Mes tyre ishte dhe një nënë që ka qëndruar pranë djalit të saj në këto tri ditë të vështira.
"Unë do të rri këtu derisa kempi ti rikthehet djalit komplet. Se un për këtë djalë rri këtu, një dritë syri kam. Këto ditë ka qenë shumë e vështirë, shumë ftohtë por unë para djalit nuk vë asgjë, vë jetën time. Festën e kaluam këtu gjithë natën me sheqer e ujë, unë u gdhiva me djalin këtu. Na hoqën kempin e na thënë bëni çfarë të doni. Çfarë të bëj unë me fëmijën 41 vjeç. Do larje, shplarje, bebelino të gjitha. Ku ti gjej unë?," tha ajo.
"Ndihem shumë keq pasi këtu është shumë ftohtë. Vetëm një rezistencë nuk ngrohet. Unë jam ortodoks, duhet të isha pranë familjes për festa, tryeza të ishte plot, ti plotësoja dëshirat fëmijëve të mi.
Unë e kalova festën në grevë, me këto kushte këtu. Kam pirë vetëm ujë që të pija ilaçet e nervit dhe diabetit. Këtu nuk ka ardhur asnjë, asnjë ndihmë. Jemi të harruar nga shteti, në këtë gjendje që na ka çuar ndihem shumë keq," tha një person me aftësi të kufizuar.
Gazetarja e Ora News: Sa ishte ndihma e kempit që merrnit në fillim?
"Merrnim 41 mijë lekë bashkë me shoqërues, tani marrim 12 mijë lekë unë, 11 mijë lekë shoqëruesja.
Unë nuk jetoj dot me 10 mijë lekë, çfarë të marr ilaçe, të paguaj ujë e drita, të plotësoj kushtet e fëmijëve që ti çoj në shkollë. Do detyrohem që të mos i çoj në shkollë se nuk mundem me 10 mijë lekë, prandaj iu drejtova shtetit," tha ai.

