“Palaço, mafioz” Bardhi nxjerr nga binarët Ramën: Oligarkët e tu po ndikojnë për Dvoranin

Zgjedhja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Ardian Dvorani, ka shkaktuar në parlament debate të forta, akuza dhe etiketime fyese mes kryeministrit Rama dhe deputetit demokrat Gazment Bardhi.

Ky i fundit i përmendi Rames oligarkët, duke iu referua biznesmenëve më të fuqishëm në Shqipëri dhe tha se ata janë përdorur nga maxhoranca për votimin e Dvoranit në Kushtetuese.

Bardhi: Ndoshta e kanë bërë pa dijeni tende, edhe pse mendoj se je në dijeni, drejtuesit më të lartë të grupit tënd kanë kërkuar votë për Dvoranin, por kanë angazhuar mafiozë dhe oligarkë për të.

Kryeministri akuzoi për shpifje dhe kërkoi që deklaratat të jenë konkrete.

Rama: Ky person këtu është çuar dhe intimiduar nga filani, jo të merrni emra më kot në gojë.

Bardhi: Oligarkët dhe mafiozët e tyre, mos u nevrikos.

Rama: Cilët janë mafiozë?

Bardhi: Ah i le oligarkët dhe u përqendrove tek mafiozët. Jep llogari pse ka angazhuar oligarkët. Ti i ke çuar.

Rama: I kam çuar unë sepse e ke bindje ti?

Bardhi: Përgjigju për emrat.

Rama: Për cilat emra të përgjigjem more palaço cirku.

Bardhi: Palaço dhe mafioz je ti.

Ky reagim u pasua edhe me ofendime dhe sharje mes palëve, që zgjatën me minuta të tëra.

Madje edhe Kuvendi u detyrua të ulte zërin e transmetimit edhe pse mimikat e palëve ishin të qarta.

Në përfundim drejtuesja e Kuvendit u detyrua edhe të përjashtonte Gazment Bardhin nga seanca teksa PD u përgjigj me shkresë, duke i kërkuar Lindita Nikollës penalizimin me 10 ditë të Edi Ramës.

Ndërsa replikat vazhduan një orë më vonë mes Flutura Açkës dhe kryeministrit  Edi Rama.