Mitsotakis u premton minoritetit grek: Pensionet drejt zgjidhjes, do ju mbështesim të qëndroni këtu

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u prit me entuziazëm në Dropull nga minoriteti grek të cilit i premtoi se do jepte mbështetjen e kërkuar.

Madje në fjalën e tij, krah kryeministrit Rama, Mitsotakis tha se disa probleme si çështja e pensioneve të minoritetit grek është në rrugën e zgjidhjes. 

Kryetari i Omonia-s, Fredi Beleri, konfirmoi pas vizitës së kryeministrit grek se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës falë marrëveshjes së PBDNJ me Sali Berishën. Me flamuj grek në dore, dhe shqipe të pastër, banorë të Himarës e quajtën veten greke dhe u shprehën entuziastë për premtimet e kreut të qeverisë helene.

Fjala e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis 22 dhjetor 2022

Minoriteti grek është urë bashkëpunimi midis dy popujve fqinje. Nëse kjo ndodhte përpara 31 vitesh aq më shumë kjo vlen sot dhe duhet ta dini se me kryeministrin Edi Rama kemi bashkëpunim shumë të ngushtë.

I njohim, jemi në dijeni të problemeve që ju preokupojnë  dhe do mund t’i fusim ato në rrugën e zgjidhjes me frymë bashkëpunimi, me frymë predispozicioni pozitiv, sikundër e dini gjithashtu mbështetjen që i kemi dhënë dhe i jep shteti grek të gjithë këtyre helenëve që jetojnë në trojet tuaja. Konsiderojeni këtë si fakt.

Çështja e atij subvencioni për të moshuarit është duke u futur në rrugën e zgjidhjes përfundimtare.

E njëjta gjë po ndodh dhe me mbështetjen diakronike që po u japim fëmijëve të cilët shkojnë në universitetet greke dhe në shkollat e zonës që janë në gjuhë amtare dhe gëzohem që i shoh fëmijët duke u rritur dhe duke mësuar gjuhën greke së bashku me gjuhën shqipe, së bashku me anglishten.

Për këta fëmijë duam të punojmë së bashku që të qëndrojnë në trevat e tyre, të krijojnë dhe të kenë sukses në vendin e tyre dhe të ketë perspektivë minoriteti grek.

Mitsotakis u premton minoritetit grek: Pensionet drejt zgjidhjes, do ju

Miku im Edi,

E di shumë mirë që bëmë shumë punë, i vumë shpatullat që të përshpejtohet perspektiva europiane në Shqipëri dhe nuk është e rastit që sot janë dy flamuj, grek dhe ai shqiptari dhe mes tyre është flamuri i Bashkimit Europian. Arsyeja, rruga për integrimin e Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por do jetë e ngutur sepse Shqipëria ia vlen të bëhet pjesëtare e Europës. Ju do keni dobi nga ky zhvillim.

Dua përsëri t’iu deklaroj, se vizita ime sot këtu në dy bashki minoritare dhe në Himarë është një vizitë me emocion të veçantë sepse me të vërtetë e kam kujdes për minoritetin grek dhe do bëj gjithçka mundem gjithçka që kalon nga dora ime që t’iu ndihmoj dhe t’iu mbështes.

Se gjithashtu sot kam gëzimin të shoqërohem nga miq nga Greqia, miq që kanë ardhur nga Janina.

E them këtë gjë sepse mund të bëjmë akoma më shumë për të zhvilluar të dyja zonat, zonën tuaj dhe zonën që ndodhet në Greqi dhe jemi duke e futur në rrugë çështje dhe projekte mjedisore, sic është edhe lumi i Vjosës, i cili buron nga Janina, por përshkon një rrugë të gjatë në Shqipëri dhe është i vetmi lum i madh në Europë që nuk ka diga dhe duam së bashku, qeveria greke dhe shqiptare, ta mbrojmë atë. Këto janë projekte të cilat përfundimisht do të dalin në dobi të të dy popujve.

Por përveç miqve nga Greqia që kanë ardhur këtu kam gëzimin e madh të shoqërohem këtu nga një njeriu juaj, nga zoti Pirro Dhima, i cili për aq shumë herë ka ngritur në shpatullat e tij Greqinë, e nderoi vendin tonë në kaq olimpiada dhe na sjell emocion të veçantë që sot kthehet në tokat e tij amtare dhe shikon kaq njerëz të mbledhur këtu.

Përfundimisht, dua t’i them mikut tim Edi, sepse të dy jemi politikanë dhe të dy jemi duke bërë konferenca dhe takime,  edhe unë nuk mbledh kaq njerëz kur flas në mbledhje në Greqi.

Ju falenderoj dhe e vlerësoj shumë prezencën tuaj këtu!