“Grekët” kërkojnë Himarën, mesazhe shqip me flamuj helenë në dorë: Jemi grekë. Do marrim pensione
Kryetari i Omonia-s, Fredi Beleri, konfirmoi pas vizitës së kryeministrit grek se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës falë marrëveshjes së PBDNJ me Sali Berishën. Me flamuj grekë në dore, dhe shqipe të pastër, banorë të Himarës e quajtën veten greke dhe u shprehën entuziastë për premtimet e kreut të qeverisë helene!
Pasi priti kryeministrin Grek, Kyriakos Mitsotakis, Kryetari i Omonia-s, Fredi Beleri, konfirmoi se do të kërkojë të marrë drejtimin e bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 Majit të ardhshëm si kandidat I PBDNJ-së i mbështetur nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha.
“Unë do të jem kandidat para këshillit të Omonia-s dhe PBDNJ”, tha Beleri.
Nëse do të zgjidhet kryebashkiak i Himarës, post për të cilin ka kandiduar edhe parë, Beleri që akuzohet edhe për masakrën e Peshkëpisë në Gjirokastër në vitin 1994 tha se I ka të përcaktuara edhe prioritetet.
“Çështja e parë ajo e pronave që po përkeqësohet. Ligji për mbrojtjen e minoritetit. Dhe çështje të përditshme që himariotët nuk i gëzojnë”, tha ai.
Vizitë historike e cilësoi kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule atë të kreut të qeverisë helene në jug të Shqipërisë ndërsa theksoi ato që sipas tij ishin mesazhet e Mitsotakis.
Gjatë qëndrimit në Himarë të kryeministrit grek ra në sy mungesa e zyrtarëve shqiptare mes të cilëve edhe kryebashkiaku Jorgo Goro.
Ky i fundit i pyetur e argumentoi me faktin se organizimi ishte i OMONIAS dhe PBDNJ, ndërsa përfaqësuesit e organizatës dhe partisë që pretendojnë se përfaqësojnë të drejtat e minoritetit e nënvlerësuan faktin.
“Këto nuk janë diskutime të ditës së sotme. Sot ishte Mitsotakis. Ngjarja është shumë e madhe lidhur me gjëra shumë të vogla”, tha Dule.
Me shqipe të pastër, e flamujt grekë në duar shumë qytetarë, entuziastë nga vizita e Micotaqis dhe nga përfitimet e premtuara, kërkuan që Himara të njihet zonë minoritare.
“Të na njohin si minoritet dhe jo si shqiptarë”, tha një banor.
“Do marrim pensione”, tha një tjetër banor i Himarës.


