Debat me opozitën për Dvoranin në Kuvend, Rama: PS pa vendim politik, pse duhet t'u japim llogari kë votojmë?
Votimi i Avokatit të Popullit dhe anëtarit të Gjykatës Kushtetuese shkaktoi debat mes grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe mazhorancës.
Kryeministri Edi Rama duke replikuar me demokratët, tha se socialistët nuk kanë se pse tu japin llogari se kë do të votojnë.
Rama: Nuk kemi marrë asnjë vendim politik për këtë, kjo është offshore që nuk ka prova. Për çfarë arsyeje ne duhet t'u japim llogari se kë duam ne të votojmë? Nuk e kemi marrë një vendim të tillë, të gjithë deputetët e PS do të votojnë lirisht. Luftën me mafien bëjeni në fantazitë tuaja, prandaj jeni kantandisur kështu. Jeni e vetmja gjë, ndryshojnë vetëm fytyrat. Pse kemi lënë gjurmë, përse? Ju i gjurmoni bishtit mbrapa, vazhdoni dhe gjurmojeni se do ta kapni.
Rama pretendoi se PS nuk ka një vendim për të votuar Dvoranin për në Kushtetuese teksa një koment pati dhe për kandidaturën e opozitës për Avokat të Popullit.
Ai i mbylli derën demokratëve, duke u bërë të qartë se nuk votojnë një avokat të PD-së që ka qenë në betejë të vazhdueshme ligjore me ta.
Rama: Gjuha ekstreme me mafie, kapje, intimidime dhe kriminela është bërë buka e përditshme dhe e përhershme e çdo fjalimi dhe ndërhyrje për procedurë e të gjithëve bashkë me vulë dhe pa vulë. E vërteta është ndryshe. Grupi parlamentar i PS nuk funksionon në mënyrë klandestine. Kur ka votime politike dhe kur ka vendimmarje të unifikuar politikisht ne marrim vendime. Keni dëgjuar ndonjëherë të marrim ndonjë vendim ne për të mbështetur politikisht ndonjëherë ndonjë figurë që vjen këtu për tu vlerësuar nga ana e drejtësisë.
Kur e keni dëgjuar të ndodhë? Kjo është fantazi, si puna e offshorit, ti e di që je offshor por unë nuk ta provoj dot se offshoret janë bërë për tu fshehur, kështu që ti je fshehur. Njësoj është dhe kjo. Nuk kemi asnjë problem t'ua themi në sy atë që kemi vendosur. Nëse do kishim marrë një vendim politik për të pasur vendim të unifikuar për të votuar një kandidat apo një kandidat tjetër do t'ua thoshim në sy. Nuk e kemi një vendim të tillë. Pse nuk e kemi do ta shpjegojmë kur të vijë votimi. Sa i takon avokatit të PD mbajeni se do tu duhet se keni probleme vulash e firmash por nuk mund ta sillni këtu ta votojë PS për Avokat të Popullit, e keni keqkuptuar këtë proces.
Kemi marrë përsipër propozimin për Avokatin e Popullit në të shkuarën dhe nuk kemi sjellë këtu kur PD ishte në shumicë të votonte ndonjë avokat të partisë sonë, që e kalon jetën duke bërë gjyqe kundër kundërshtarit. Kemi gjetur figura të cilat kanë pasur mundësinë të kenë, në mos mbështetjen me krahë hapur, pëlqimin me votë. Si vini këtu sillni një avokat të PD që nuk ka lënë gjyq pa humbur me ne. Për më tepër ta votojmë bne për Avokat të Popullit? Deri këtu ra pazari, nuk mbeti njeri më përveç avokatit të vulës. Kjo nuk ka shans fare.
Shefi i socialistëve madje u kërkoi demokratët që mos të ngatërrojnë bashkë dy proceset e votimit.
Rama: Nuk ka asnjë përpjekje për të ngatërruar ndonjë votim me ndonjë votim tjetër sepse nuk i votojmë ne ato kandidatura që i keni sjellë ju. As njërin që është avokat i partisë tuaj në luftë për vulën, as tjetrin që është kandidat i vulëhumburve, nuk votojmë ne për këta. Votimi tjetër është votim i lirë i secilit dhe secilës. Luftën me mafien vazhdojeni një herë tjetër.
Teksa Enkelejd Alibeaj i kujtoi edhe njëherë se PS nuk i ka votat për Dvoranin, Rama u rekomandoi të bëjnë një kontroll mjekësor.
Rama: Keni iformacion se grupi i PS ka marrë vendim që "të gjithë në seancë se do votojmë për këtë kandidat?" E dëgjova shumë mirë atë që tha kryetari i grupit të PS dhe nuk tha asgjë nga çfarë po përsëris unë dy herë. Duhet të merrni masa për të garantuar që keni akoma të lidhur mendjen me gjuhën, veshin me hundën, hundën me syrin. Flisni përçart. Nuk kemi asnjë vendim të kësaj natyre. Ka një procedurë që duhet të votohet, në këtë procedurë të gjithë deputetët janë të lirë të votojnë për kë të duan nga të tre kandidaturat.
Është votim i lirë. Ligji është i qartë, në rast se nuk ka vota të mjaftueshme për të ndryshuar radhën, respektohet radha që ka nxjerrë forumi. Është votë e lirë. Nëse ju do ikni do bëhet formalisht. Kaq rëndë jeni? Pse duhet ky komplikim? Nuk kemi marrë asnjë vendim të tillë. Nuk keni sjellë shumë kandidatë, ju që nuk keni humbur vulën, një kandidat keni sjellë. Për Avokatin e Popullit ka një traditë që propozimin e bën opozita, por nuk mund të na kërkoni të votjmë avokatin e PD?
Ju çfarë nuk thatë për një gjykatës se duam ta kapim dhe ta bëjmë, po ju çfarë doni ti bëni Avokatit të Popullit? Ta fusni te SHQUP-i? As SHQUP-in se keni, te parkimi. Gjeni avokat tjetër, kandidaturë tjetër, këtu jemi, mendohuni. Avokati i Popullit rri në detyrë, ju e keni zgjedhur dhe atë. Gjeni kandidat tjetër, atë që e keni sjellë mbajeni te partia, u duhet për gjyqin e vulës dhe të tjera. Në asnjë gjyq me ne, ai avokat nuk u ka dhënë asnjë fitore.
