Sulmi ndaj drejtorit të OSHEE në Lezhë/ Zbardhet ngjarja, 2 në pranga
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Lezhës për plagosjen e Drejtorit të Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Edmir Përndreca, ngjarje e ndodhur më datë 30 nëntor të këtij viti.
Si rezultat i operacionit “Fundviti”, u identifikuan, u kapën dhe u ndaluan shtetasit Leonard Pepa 27 vjeç dhe Sebastiano Malotaj, 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, për veprat penale "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Plagosja e rëndë me dashje".
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin shtetasit Përndreca gjatë lëvizjes, dhe më pas e kanë goditur atë për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin e përdorur nga 2 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj ngjarjeje.
Vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi ngjarja, dëshmia e Edmir Përndrecës:
Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, Edmir Përndreca thotë se nuk i njohu tre personat që e dhunuan.
43 vjeçari ka theksuar se po udhëtonte me makinën e punës kur e sulmua.
Më ndoqën dhe më goditën makinën. Sa zbrita më goditën me leva. Ishin tre persona, por nuk arrita t’i identifikoj,” ka thënë ai nga Spitali i Traumës ku u trajtua për plagët që mori nga goditjet me levë.
Sulmi vjen pas itensifikimit të kontrolleve të OSHEE, për vjedhje apo ndërprerje të energjisë elektrike ndaj abonteve debitor.
Autorët besohet se kanë ndjekur lëvizjet e drejtorit të OSHEE dhe më pas i bënë pritë, duke i përplasur mjetin dhe më pas e qëlluan me sende të forta.
Nga të dhënat hetimore, autorët ishin të paktën tre persona.
Policia e Lezhës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, në disa biznese përgjatë rrugës Lezhë –Shënkoll, me qëllim identifikimin dhe më pas arrestimin e dhunuesve të drejtorit të OSHEE.
Edmir Përndreca është emëruar drejtor i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, prej më shumë se 1 viti, ndërsa ka një karrierë të gjatë, të punës si inxhinier pranë këtij institucioni.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
