Karta ID, diploma, certifikata pronësie false, në pranga 3 persona në Tiranë
Tre persona janë arrestuar në Tiranë nën akuzën se falsifikonin mjete identifikimi dhe dokumente.
Me finalizimin e operacionit të koduar "Falsifikimi" u arretsuan shtetasit: G. Xh., 64 vjeç, A. B., 59 vjeç dhe Sh. B., 59 vjeç, të tre banues në Tiranë.
"Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimeve monetare, falsifikonin diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme," njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në 5 ambiente në përdorim nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, skanera, usb, njësi kompjuterike, printera, karta identiteti, diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme, të falsifikuara.
"Hetimet janë në vijim për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë gjithë përfituesit e këtyre dokumenteve të falksifikuara pasi dyshohet se këto dokumente janë përdorur për të përfituar pasuri, për t’i shpëtuar kërkimit apo për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme kriminale," njoftoi Prokuroria.

