Sulmi ndaj drejtorit të OSHEE, zbardhet dëshmia: Më goditën me levë, ishin 3 persona

Sulmi ndaj drejtorit të OSHEE në Lezhë, dyshohet se ka lidhje me aksionet ndaj debitorëve të energjisë elektrike në këtë rajon.  Edmir Përndreca në dëshminë e parë ka thënë se nuk i njohu tre personat që e rrahën me levë hekuriSulmi ndaj drejtorit të OSHEE, zbardhet dëshmia: Më goditën

Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, Edmir Përndreca thotë se nuk i njohu tre personat që e dhunuan.

Nga Spitali i Traumës ku u trajtua për plagët që mori nga goditjet me levë, 43 vjeçari ka theksuar se po udhëtonte me makinën e punës kur e sulmua.

Më ndoqën dhe më goditën makinën. Sa zbrita më goditën me leva. Ishin tre persona, por nuk arrita t’i identifikoj,” ka thënë ai.

Ngjarja u shënua mbrëmjen e së mërkurës në Lezhë-Shënkoll.

Dyshimet janë për një ngjarje të qëllimshme e që lidhet me detyrën e Edmir Përndrecës.

Sulmi vjen pas itensifikimit të kontrolleve të OSHEE, për vjedhje apo ndërprerje të energjisë elektrike ndaj abonteve debitor.

Autorët besohet se kanë ndjekur lëvizjet e drejtorit të OSHEE dhe më pas i bënë pritë, duke i përplasur mjetin dhe më pas e qëlluan me sende të forta.

Nga të dhënat hetimore, autorët ishin të paktën tre persona.

Policia e Lezhës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, në disa biznese përgjatë rrugës Lezhë –Shënkoll, me qëllim identifikimin dhe më pas arrestimin e dhunuesve të drejtorit të OSHEE.

Edmir Përndreca është emëruar drejtor i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, prej më shumë se 1 viti, ndërsa ka një karrierë të gjatë, të punës si inxhinier pranë këtij institucioni.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.