Mbi 2300 kg kokainë, heroinë e mariuanë nga Shqipëria, rikthehet trafiku nga deti drejt Italisë

Trafiku i drogës përmes detit nga Shqipëria drejt Puglias vijon të jetë pjellor për grupet kriminale shqiptare e italiane.

Këtë e ka demostruar dhe faza e tretë hetimore e operacionit "Shefi" i cili ka çuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në arrestimin e 14 personave, 9 italianë e 5 shqiptarë nën kauzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Hetimet e antimafias italiane kanë vijuar duke monitoruar furnizimin me drogë në Shqipëri e rrugën detare të transportit të saj, që nga Shqipëria me mjete të posaçme lundruese, mbërrinte drejt Italisë.

Zbarkimi i drogës kryhej në koordinim të plotë me grupet kriminale puglieze e më pas depozitohej në depot e pozicionuara në territorin e Barit e provincës.

Përmes rrugës tokësore e me korrierë italianë që lëviznin me automjete nën metodën stafeta, droga tranportohej në Kalabri, Sicili, Campania e Abruzzo.

Kjo është faza e tretë hetimore e operacionit të koduar Shefi që në kompleksin e tij ka çuar në kapjen e 2300 kg drogë, kokainë, heroinë, marijuanë me vlerë 15 milionë euro. Gjithsej janë kapur mbi 7 milionë doza drogë.

Në maj të 2021 të arrestuarit e këtij operacioni u dënuan nga Gjykata Italiane e Apelit me nga 2 deri në 20 vite burg pikërisht për rëndesën e sasive të mëdha të lëndës narkotike së transportuar përtej kufijve kombëtarë.

Në vitin 2018 u shkatërruan 2 organizata kriminale të fuqishme shqiptare e italiane me bazë në Bari e provinca e degëzime në Campania, Puglia, Abruzzo e Sicili.

Në lagjen Carrasi të Barit, hetimet italiane kanë identifikuar një depozitë drogë e ardhur nga Shqipëria e kanë individualizuar një shtetas shqiptar i konsideruar si kapo i një prej dy organizatave kriminale, që ishte në bashkëpunim me narkotrafikantë italianë të dënuar më parë për pjesëmarrje kriminale mafioze, me të cilët menaxhonin sasive e mëdha të drogës që mbërrinte nga Shqipëria.

Hetimet ambientale, telefonike e filmike kanë çuar në kapjen e dy skafistëve shqiptarë në Polignano të Puglias me mbi 1 tonë drogë, 1 korrierë italianë me mbi 1000 kg marijuanë, 2 korrierë të tjerë po italianë me 13 kg drogë me destinacion Salernon e 2 korrierë shqiptarë me 8 kg drogë me destinacion Sicilinë.

Në komunën Mola të Barit është gjetur një tjetër depozitë me rreth 50 kg drogë e mbërritur nga Shqipëria e që menaxhohej nga grupet kriminale shqiptaro-puglieze.

Në operacionin e mëngjesit të sotëm morën pjesë rreth 40 forca policore e një rol të rëndësishëm ka luajtur skuadra investigative e Antimafias Italiane e pozicionuar në Tiranë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.