Më pak gjela deti, zadrimorët heqin dorë nga mbarështimi i “Mbretit” të tryezës festive
Zadrima në Lezhë është një prej zonave të njohura për mbarështimin e gjelit të detit. Por vit pas viti, fermerët atje po heqin dorë për shkak të rritjes së kostove dhe largimit masiv të banorëve.
Gjelat e detit i kanë nxjerrë përgjatë superstradës Lezhë-Shkodër.
Në Zadrimë të Lezhës, bie në sy se shpendët dhe fermerët janë më të paktë këtë vit.
Rritja e kostove dhe largimi masiv i të rinjve, ka bërë që shumë familje të heqin dorë nga mbarështimi i gjelit të detit.
Fermeri: “Këtë vit ka shumë pak. Brezi i vjetër i ka lënë, të rinjtë nuk merren me atë. Ka dhe shumë munges të tregut.”
Ata që rritën “mbretin” e tryezës festive të vitit të ri, pranojnë se çmimi ka njohur rritje, por pavarësisht kësaj, shitjet thonë janë të kënaqshme pasi numri i shpendëve në treg është i ulët.
Fermerët: “Ka shkuar 9 mijë lekë, 10 mijë lekë, shumë mirë është.
Këto dy vitet e fundit ka pasur mungesë, ka pasur pak treg dhe shumë rritje çmimi. Pavarësisht se ka pasur dhe shpenzime, sepse janë rritur çmimet”
Sipërmarrësi Altin Prenga që punën e tij e ka lidhur me fermerët e Lezhës, ngre alarmin se gjithmonë e më shumë njerëzit po e braktisin tokën.
Altin Prenga: “Mendojnë se është më mirë të emigrojnë ose të shkojnë në zonat urbane me rroga shumë më të ulëta, por është zgjedhja e tyre. Ata që do punojnë tokën, që do rrisin shpendë, do fitojnë”
Në Zadrimë të Lezhës janë rritur deri në 50 mijë gjela detit në vit, por ky numër është reduktuar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit.
