85 kg “jeshile” në Audi Q7 në Fier, njëri kapet, tjetri në kërkim

Një i ri u vu në pranga ndërsa një tjetër arriti ti shpëtojë policisë së Fierit gjatë një aksioni ku u sekuestruan 85 kilogram kanabis. Lënda narkotike po transportohej me një makinë luksoze.

85 kilogram kanabis sativa u sekuestruan nga Policia e Fierit e cila goditi një tentativë të trafikimit të lëndës narkotike.

Një transportues përfundoi në pranga, ndërsa i dyti arriti ti shpëtojë arrestimit.

Policia e Fierit thotë se kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e një sasie droge me një automjet luksos ndaj u vu në ndjekje.

Por operacioni duket se nuk ka qenë aq i koordinuar, pasi kur dy transportuesit kanë vënë re se po ndiqeshin braktisën makinën e mbushur me drogë dhe u larguan në këmbë.

Arratia nuk zgjati shumë për njerin prej tyre.

Armando Tërnova, 25 vjec u kap pranë fshatit Hamil, ndërsa Nehat Rizvani,  31 vjec që i shpëtoi ndjekjes tashmë është shpallur në kërkim

Në makinën luksoze ku ata udhëtonin, u gjetën 3 thasë të mbushur me  85 kilogram kanabis sativa.

Policia e Fierit thotë po vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikeve.