1 mln lekë për një varr në Tufinë, zyrtari i bashkisë Tiranë Eliodor Ndini dhe 11 të tjerë merren të pandehur

Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në bashkinë e Tiranës së bashku me 10 persona të tjerë janë dërguar në gjyq nga Prokuroria me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ngritja e akuzave ndaj tyre u bë pas hetimeve të prokurorisë, e cila përmes një agjenti të infiltruar ka zbardhur disa episode të kërkimit të parave nga zyrtarët për një hapësirë varri në kryeqytet.

Prokuroria e Tiranës, i ka dhënë fund çështjes penale që flet për biznesin e shitjes së varreve në Tufinë, të krijuar nga zyrtarë të bashkisë së Tiranës.

Eliodor Ndini, Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, është marrë i pandehur për tre vepra penale, mes të cilave dhe korrupsionit pasiv pasi për çdo varr merte shuma financiare nga 200 deri në 1 milion lekë të vjetra.

Në këtë skemë kanë qënë të përfshirë dhe punonjës të tjerë të bashkisë, si Xhemal Mena, Latif Shehu, Gazmend Daja, të cilët janë marë të pandehur për akuzën e korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Në listë e të pandehurve janë dhe Bujar Lica, Alban Ajazi, Endrin Milla, Fatjon Gjonaj, Roza Ndoj dhe Shaqir Nika dhe Fabjon Gjonaj. Njëherësh Ndini, dhe persona të tjerë mernin përsipër kundrejt lekëve legalizimin e ndërtimeve pa lejë dhe nxjerjen e kredisë së butë nga Bashkia, për emra të përveçë.

Dosja penale me Nr.4811 tregon raste të përsëritura dhe të përditshme të Eljodor Ndinit, i cili për një varrim që kryehej në parcelën e varrezave në Tufinë kërkonte nën dorë shuma të konsiderueshme lekësh.

Në dosje jepet një rast i pastër i korruptimit të Ndinit dhe punonjësve të tjerë të bashkisë, pasi është mbikqyrur fillimisht nga sektori ekonomik në policinë e Tiranës, ku oficerët Marlind Shkreli, Erjon Ismaili dhe Ledion Kolgjoka, kanë kryer një sërë veprimet për të zbuluar veprimtarinë kriminale që kryhej në një nga ndërmarjet e bashkisë Tiranë.

Në materialin hetimor të siguruar nga Ora News, flitet për një nga disa episodet e hetuara, ku Eljodor Ndini është kapur duke marë para dhe euro, në këmbim të shitjes së një sipërfaqe toke për qëllime varrimi në Tufinë. Ky episod është trajtuar duke futur një agjent policie, i cili është kamufluar si banor i Tiranës. Agjenti është shtirur duke krijuar një histori se halla e tij që jetonte në Gjermani kishte ndëruar jetë dhe në familjen e saj në Tiranë kishin nisur përgatitjet për të zhvilluar ceremoninë e varrimit.

Agjenti është interesuar tek Agjensia e Shërbimit Funeral në Bashkinë Tiranë, duke zhvilluar një takim me drejtorin Eljodor Ndinin. Qëllimi i këtij takimi ka qënë pikërisht sigurimi i një vendi të mirë për varrimin e hallës që kishte ndëruar jetë në Gjermani. Nga përgjimi ambjental, rezulton se Eljodor Ndini, e siguron se do i gjente një vend të mirë për hallën, por duhej të respektohej nga ana e farefisit pasi vendet ishin të limituara.

Nga ana tjetër agjenti i premton gjatë bisedës drejtorit Ndini, se pjesën e respektit dhe pagesën mos ta kishte merak fare. Ata e kanë lënë të takohen edhe një herë tjetër në ambjentet e një kafe në Tiranë, ku agjenti që interesohej për një varr për hallën në Tufinë i ka dhënë shumën prej 800 mijë lekë të vjetra Eljodor Ndinit. Ky i fundit del në përgjime se tashmë puna është mbyllur, pasi vendi i varrimit është gjendur dhe kishte pamje të mirë.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.