Berisha heq syzet e zeza dy javë pas sulmit dhe bën bilancin në Këshillin Kombëtar: Rikthyem opozitën e vërtetë!

Dy javë pas sulmit fizik ndaj tij, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u shfaq sot për herë të parë pa syzet e tij të errëta në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Një hije e lehtë u shqua sërish poshtë syrit të tij e djathtë si dëshmi e grushtit të 6 dhjetorit.

Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar Berisha tha se ky ishte një vit i vështirë për Partinë Demokratike, duke theksuar se u përdor çdo mjet që kjo parti të mos ngrihej në këmbë.

Berisha tha se "u bë gjithçka që PD të vendosej në kontrollin e mafies qeveritare".

Por sipas tij PD mundi të rikthejë vlerat për të cilat ishte rithemeluar.

"Të gjitha këto veprime dështuan. Tani beteja nuk është më vetëm midis nesh dhe mafies shtetërore por beteja e ashpër ka shpërthyer midis klaneve mafioze të pushtetit.Të gjithë kandidatët tanë për primare vijnë produkt i votës së anëtarësisë dhe simpatizantëve tanë.

Krahasoni rivalët e tyre si dalin nga syhpella e mafies. Nëse në Tiranë shkëlqeu një garë e hapur midis 7 kandidatëve, në krahun tjetër bëhet një betejë e kockave mafioze e cila pasqyrohet në tërë veprimtarinë e saj".