"Monitoroni sigurinë e godinave", ekspertët kërkojnë ligje të reja për ndërtimet: Të aplikohen eurokodet
Godinave të dëmtuara nga tërmeti i 2019 duhet tu bëhet një rikontroll për të parë gjendjen e tyre në mënyrë që të shmanget çdo tragjedi.
Sizmiologu, Rrapo Ormeni, thotë se ky monitorim duhet të bëhet në ndërtesat e larta dhe në zonat me rrezik.
"Të evidentohen këto godina, të cilat kanë një rezistencë më të ulët. Për zonën Tiranë-Durrës ku janë përqëndruar ndërtime të mëdha dhe është përqëndruar pjesa më e madhe e popullsisë. Edhe për pjesë të tjera. Po kështu për pjesën turistike të vendit dhe zonat që janë më aktive si zona Lushnje-Elbasan-Dibër dhe zona Joniko-Adriatike".
Tërmeti i nëntorit ngriti shqetësimin e standardit të ndërtimit ndaj me rëndësi, thonë ekspertët, është vendosja e eurokodeve për mbrojtjen nga lëkundjet sizmike.
Aktualisht ekspertët kanë përkthyer kodet e reja dhe do të kërkojnë implementimin e tyre në ligjet shqiptare, sqaron inxhinieri Neritan Shkodrani.
"Është i vitit '89, por nëse ai do të respektohej përsëri do të shmangte shumë prej katastrofave që kanë ndohdur në ndërtesa të ndryshme në vendin tonë. Po tentojmë të futim kode të reja si eurokodet. Eurokodet janë strukturore."
Sipas ekspertëve, në Shqipëri shumë pak por përdoret teknologjia e re e ndërtimit, e cila i siguron ndërtesat nga tërmetet dhe sipas disa prej tyre ende nuk është e qartë nëse po zgjidhen materialet e duhura.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
