Bujqësinë në Shkodër e mori lumi, fermerët: Na kontrollojnë për kanabis, na harrojnë për kompensim

Tërheqja e ujit nga zonat e përmbytura në Shkodër, po zbulon dëmet kryesisht në bujqësi. Fermerët thonë se humbjet i kanë të mëdha, ndaj kërkojnë kompensim. Këtë të hënë në Lezhë e Shkodër janë nën ujë rreth 2700 hektarë tokë.

Me ndërprerjen e reshjeve dhe ndalimin e shkarkimeve nga Hidrocentralet, uji ka nisur të tërhiqet nga Nënshkodra.

Pasojat tashmë po bëhen të dukshme, siç janë këto sera të mbjella me spinaq.

Ora News pa nga afër një nga serat në fshatin Goricë të njësisë administrative të Anës së Malit, të cilën përmbytjet e kanë dëmtuar terësisht, duke shkaktuar një dëm prej miliona lekësh.

Në pamundësi për të shpëtuar diçka, fermeri Naim Hasani tregon dëmet.

"Është dëmtuar 100%, qelbet sot. Kujt me ja dërgu në treg?!"

Askush nuk ka shkuar për të parë dëmet dhe jo më për të folur për dëmshpërblime dhe pse është përmbytja e disatë radhazi.

"Nuk jemi dëmshpërbyer asnjëherë."

Ama kujton se kur nisi mbjellja e serave, policia ka shpejtuar të bëjë disa kontrolle për të shmangur mbjelljen e kanabisit.

"Vijnë nga 2-3 palë policë me pa çfarë kemi mbjellë brenda. Kurse tani që jemi përmbytur nuk del njeri."

Prej javësh në ujë këto fshatra rrinë në gatishmëri për më të keqen.

Në të gjithë zonën e Nënshkodrës dhe veçanërisht një njësinë administrative të Anës së Malit, thuajse në çdo familje është e pamundur të mos gjendet një varkë e vogël e vendosur në afërsi të banesave dhe tokave bujqësore të tyre pasi vërshimi i menjëhershëm i ujërave dhe rritja e nivelit të tyre rrit rrezikun për përmbytje edhe të shtëpive dhe banorët e kanë të vetmin mjet shpëtimi për tu larguar në kohë.

Me mbi 2 mijë hektarë tokë të përmbytur dhe 80 shtëpi të rrethuara nga uji, administratori i Anës së Malit ripërsërit thirrjen që qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

"Është domnosdoshmëri e madhe."

Aktualisht në Nënshkodër janë të pakalueshme rrugët drejt fshatit Obot dhe Shirq-Darragjat si dhe jashtë funksioni Ujësjellësi Oblika 1.

E përmirësuar paraqitet situara dhe në qarkun e Lezhës, ku nën ujë mbeten rreth 400 hektarë.

Lumi Drin, Mat dhe Gjadër janë ulur në kuota normale.

Bujqësinë në Shkodër e mori lumi, fermerët: Na

Bujqësinë në Shkodër e mori lumi, fermerët: Na

Bujqësinë në Shkodër e mori lumi, fermerët: Na