E nis me zyrtarët, Dumani në zyrën e SPAK: Luftë agresive ndaj korrupsionit

Kreu i ri i SPAK, Altin Dumani, kërkoi rritjen e agresivitetit të Prokurorisë së Posaçme në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Dumani: Pas këtyre 3 viteve, Prokuroria e Posaçme do të kalojë tashmë në një fazë tjetër dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar.

Pa nguruar ta theksojë kërkesën e tij për më shumë rezultate se në këto tri vite të shkuara, pasuesi i Arben Krajës nxiti skuadrën e SPAK për të funksionuar si një e vetme.

Dumani: Inkurajoj dhe nxis secilin prej jush, që të gjithë së bashku duke punuar në grup si një skuadër e vetme të demonstrojmë se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij.

Para trupës së prokurorëve, drejtuesi i deritanishëm i SPAK, Arben Kraja, kujtoi vështirësitë e tri viteve në drejtimin e institucionit.

Kraja: Kanë qenë 3 vite intensive, të gjithë bashkë si grup kemi bërë më të mirën e mundshme dhe kemi arritur të krijojmë këtë institucion që është sot.

Ndërkaq kryetari i KLP-së, Alfred Balla, i pranishëm në ceremoni, shpjegoi edhe arsyen e ndërprerjes së zërit në transmetimin live të seancës për zgjedhjen e kreut të SPAK, gjatë kohës që po fliste, Altin Dumani.

Balla: Patëm aq shumë fluks sa na ra dhe linja. Filluan po na ngacmonin mediat që mos i ndërpremë fjalën zotit Dumani, por në fakt ishte ngarkesa tepër e lartë, interesi i madh.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme u zotua edhe për rikthimin e normalitetit në marrëdhëniet me drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila deri tani ka pasur një raport krejt formal me kreun e SPAK

Dumani: E nderuar zonja Hajnaj, ju garantoj se marrëdhëniet mes SPAK dhe BKH do të karakterizohen nga bashkëpunimi cilësor dhe mirëkuptimi reciprok.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.