Veliaj e shembi, Gjykata i dha të drejtë pasi IMT-ja rrafshoi pallatin tek Myslym Keta”
Gjykata Administrative rrëzoi ankimimin për pallatin te "Myslym Keta" të njësisë numër 4 në Tiranë. Vendimi u dha pak orë pasi Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit e kishte rrafshuar godinën me urdhër të kryebashkiakut Veliaj.
Në të njëjtën ditë kur Gjykata Administrative do të jepte vendimin për pallatin te“Myslym Keta”të njësisë nr 4 në Tiranë, godina u rrafshua nga fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit.
Trupi gjykues u gjet para faktit të kryer dhe rrëzoi ankimimin në një njoftim të orës 10.00, ndërkohë që Erjion Veliaj e dërgoi ekipin e ndërhyrjes që në orën 4.30 të mëngjesit të së hënës, ashtu siç ka vepruar në të gjitha rastet e operacioneve të shembjes së banesave apo institucioneve.
Fillimisht ishin disa banorë, të cilët bënë rezistencë por më pas fadromat vijuan punën normalisht, duke i rrafshuar pjesën më të madhe të pallateve aty.
Prej ditësh banorëve iu ndërpre energjia elektrike dhe uji.
Ata thanë se prej tre vitesh nga tërmeti kanë marrë dy raporte, një që e konsideron pallatin pa dëmtime në strukturë dhe tjetri të pabanueshëm e duhet shembur.
Tashmë sot disa nga banorët janë në qiell të hapur, pa bonus qiraje dhe pa një çati mbi kokë.
E vetmja ndihmë që u është dhënë është mjeti i transportit për orenditë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
