Shumë pak për rrugët e godinat, personat me aftësi të kufizuar në vështirësi për të lëvizur
Investimet e kryera nga qeveria për rrugë e institucione nuk janë të aksesueshme nga të gjithë, e sidomos nga personat me aftësi të kufizura.
Unaza e Re në Tiranë e konkretisht segmenti nga Sheshi Shqiponja dhe loti i 1 kanë kushtuar 2.4 mld lekë dhe për mbikqyrjen e punive janë investuar edhe 855 mijë euro, por askush nuk e ka vërë re se në këto punime mungojnë hapësirat e posaçme të kalimit për personat që kanë vështirësi me lëvizjen.
Për të kaluar nga një trotuar në tjetrin, një person me karrocë invalidi duhet të zbresë një shkallë prej afro 8 cm.
Arkitektja Anjeza Llubani thotë se këto probleme do t'i kushtojnë përsëri qeverisë për të bërë rregullimet e nevojshme.
"Rampa duhet të jetë zero. Është një investim që pothuajse ka mbaruar. Tani duhet bërë një ndërhyrje e dytë në mënyrë që të përmirësohet ashtu siç duhet," tha ajo.
Megjithatë duket se kanë gjetur mënyrën për të improvizuar duke vendosur mjete artizanale.
Në këtë segmet problem është dhe mungesa e sinjalistikës horizontale për të verbrit.
Megjithëse janë vendosur semaforët e zëshëm, në trotuar mungojnë pllakat me vijat që tregojnë fundin e rrugës.
"Ka mungesë të pllakave me gunga për personat që nuk shikojnë. Ka mungesë të shiritave të verdhë," thotë ajo.

Të shumta janë edhe investimet që janë bërë në spitale, e konkretisht në atë infektiv në QSUT i cili kushtoi 5.6 mln euro.
Megjithëse është një nga institucionet shëndetësore që ka marrë akreditimin për plotësimin e të gjitha kushteve, edhe aty ka probleme.
Personat me aftësi të kufizuar e kanë të vështirë ta aksesojnë.
Suela Lala thotë se ky problem është në të gjitha institucionet në vend.
Korridoret e ngushta, mungesa e ashensorëve dhe orjentimi për personat që nuk shhikojnë janë problemet me të cilat më së shumti hasin personat me aftësi të kufizuar në institucionet e vendit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.