Tinka Kurti, 90 vite jetë, aktorja e njohur feston ditëlindjen mes miqsh e kolegësh
Tana e para e kinematografisë shqiptare sot është 90-vjeç, 73 prej të cilave i kaloi në skenë dhe ekran.
Tinka Kurti festoi me miqtë këtë përvjetor.
Në mjediset e Ministrisë së Kulturës, dikur Kinostudio Shqipëria e Re, priti urime nga kolegë e miq, bashkudhëtarë e jetës.
Me hapat e ngadaltë të moshës kaloi pranë disa fotografive të saj ndër vite më e veçanta për të ajo në rolin e Tanës, në filmin e parë shqiptarë në vitin 1958.
Modestisht thotë se karriera e saj nuk do ishte e suksesshme pa miqtë dhe ndihmën e tyre.
“Ju më keni dhënë me mësu. Unë kam marrë prej jush shumë, prandaj ndoshta jam munduar të jap dhe unë sa më shumë. Me qenë një fije konkurrente me të tjerët.”
Pasionin për filmin e ka ende të gjallë ndaj prej muajsh i është rikthyer xhirimeve.
“Është filmi i dytë që bëjmë, kemi pas bërë filmin e parë dhe ka kaluar shumë mirë.”
Miqtë e vlerësojnë Tinka Kurtin si një zonjë të lirë e me dashuri të pakufishme për artin.
“Unë e kam ëndërruar Tinkën që në teatrin e vjetër “Migjeni” se aty e ka filluar ka qenë e jashtëzakonshme.”
“Është legjenda e gjallë e filmit shqiptar.”
“Unë duhet të jem shumë i përkëdhelur nga fati që në kohën ku jetojmë unë kam gjithë këtë staf, Tinkën, Margaritën, Reshatin, Luftarin.”
Mirënjohje për kontributin e Kurtit në kinematografinë shqiptare shprehu edhe Ministrja e Kultrurës Elva Margariti.
“Është patjetër një simbol fisnikërie, një simbol krenarie për të gjithë ne.”
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar me qindra role në teatër e kinematografi ndërsa është vlerësuar me disa çmime e tituj nderi.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
