Xhubleta "zbret" në Lezhë, gra dhe vajza malësore prezantojnë veshjen në memorialin e Gjergj Kastriotit

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO, ka marrë nën ruajtje Xhubletën Shqiptare. Veshja që mendohet të datojë 4 mijë vjet më parë, ka zbritur në Lezhë ku gra dhe vajza kanë performuar me të, ndërsa kanë bërë thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj trashëgimisë kulturore.

E shpallur pasuri botërore nga UNESCO, xhubleta shqiptare "zbriti" në Lezhë.

Gra dhe vajza malësore, prezantuan këtë veshje me histori 4 mijë vjeçare, përmes një aktiviteti artistiko-kulturore që u organizua në memorialin e Gjergj Kastriotit.

Xhubleta është një aset i jashtëzakonshem i trashegimisë kulturore shqiptare, ndaj duhet ruajtur e promovuar deklruan zyrtarët atje.

“Të marrim përgjegjësi pasi janë asete të jashtëzakonshme. Na bënë jo vetëm krenarë, por na “detyrojnë” të merremi  ҫdo ditë për të nxjerrë në pah vlerat që ka xhubleta,” tha Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkise Lezhë.

Sado të flasim nuk thuhen ato që shihen me sy, ndaj demostrimi është mënyra më e mire e prezantimit të këtij aseti kulturor, tha drejtuesja e shoqatës Xhubleta e Alpeve Shqiptare Rita Shkurtaj.

“Për të folur për xhubletën duhet një natë dimri, themi ne malësorët. Sado të themi, prap nuk thuhen ato që shihen,” tha Rita Shkurtaj, nga Shoqata Xhubleta e Albeve Shqiptare.

Prej 30 nëntorit xhubleta shqiptare me histori 4 mijë vjeçare, është marrë në mbrojtje nga UNESCO, duke bërë që ruajtja dhe promovimi i kësaj veshje tashmë të marrë dimension tjetër.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.