Një enciklopedi për shqiptarët, dokumentohet prejardhja, historia dhe gjuha
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë ngritur një grup te përbashkët për shkrimin e një enciklopedie shqiptare bazuar në fakte. Gjithashtu përmes fakteve do të hidhet poshtë edhe pretendimi i akademisë së Maqedonisë së Veriut se shqiptarët mbërritën në Maqedoni në shekullin e 16 e dëbuan vendasit nga shtëpitë tyre.
“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset e Maqedonisë në shekullin e 16 duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre.” - shkruhet në enciklopedinë e Maqedonisë së Veriut.”
Si një përgjigje për këto pretendime, 13 vite më pas, akademia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës janë bërë bashkë për shkrimin e një enciklopedie shqiptare.
Në grupin e redaksisë së punës janë të përfshirë 5 anëtarë nga akademia e shkencave të Tiranës, 5 nga ajo e Prishtinës dhe një përfaqësues i shqiptarëve në Maqedoninë e veriut duke u përjashtuar institucioni i zyrtar i Shkupit.
“Akademia e Maqedonisë bën politikat e shteti maqedonas. Ka shkruan një enciklopedi që nuk ka lidhje me shqiptarët.”
Megjithatë, kreu i akademisë së Shqipërisë, Skënder Gjinushi sqaron se kjo enciklopedi, nuk bëhet për t’iu bërë oponencë, asaj të Maqedonisë, por për të pasur një për shqiptarët bazuar në fakte shkencore.
“Pala jonë nuk ka nevojë që të sajojë fakte, sepse ato janë objektive dhe nuk kanë qëllim ofendues.”
Puna për këtë enciklopedi do të nis në janar të 2023 e do të zgjas 5 vite. Ajo do te dokumentoje origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë.
“Përparësi do të kenë dijet shkencore të natyrës që lidhet me shkencat nacionale.”
Procesi do te zhvillohet në dy redaksi qendrore, në Tiranë dhe në Prishtinë, me nga 30 grupe sipas fushave të ndryshme. Deri tani është përcaktuar një fond prej 3-4 mln euro për financim në 5 vite pune.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
