Gëzuar Tinka Kurti! 90 vjeç sot

"Unë jam Tinka Kurti. Kam luajtur filmin "Tana" U prezantohet aktorja e madhe gazetarëve të rinj të cilit ishin mbledhur për të ndjekur rikthimin pas 64 vitesh në skenë të filmit të parë artistik shqiptar Tana" në nëntor 2022

Tanimë filmi është restauruar dhe ishte pjesë edhe e festivalit Lumiere në Francë 1 muaj më parë.

Sot "Tana" protagonistja e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana” prodhuar në vitin 1958 feston 90 vjetorin.

RTV Ora dhe Ora News i përcjell urimet më të mira ikonës së skenës dhe filmit shqiptar.

Edhe pse në moshë të thyer nuk ka hequr dorë nga aktrimi. Roli i fundit ishte në filmin "Sofia" të Eduart Grishaj.

Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaron arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.

Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.

Prej vitit 1949 ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Tinka Kurti do të shkëlqejë në rolet protagoniste në shfaqjet: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa” etj. Ajo ka interpretuar mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana”, në vitin 1958.

Kurti ka spikatur me rolet e Nënë Pashakos tek filmi “Yjet e netëve të gjata” (1972), Nëna tek filmi “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” (1993) etj.

Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin XI të mbajtur prej 23 deri në 27 prill 2000 në Tiranë iu dha Çmimi i Madh i Karrierës.

Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.

Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.