Vritet biznesmeni në Tiranë, Edmond Papa u qëllua në Selitë, vdes në spital nga plagët

Kryeqyteti u trondit nga plumbat pasditen e të premtes, 16 dhjetor 2022.

Biznesmeni 49-vjeçar Edmond Papa u qëllua me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në një lokal në zonën e Selitës, pranë shtëpisë së tij.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se Papa u qëllua me 7 plumba dhe u dërgua në spitalin e Traumës.

Por ai nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Mësohet se autori ka zbrazur ndaj 49-vjeçarit të gjithë karikatorin e pistoletës dhe më pas është larguar.

Shefi i komisariatit numër 2 në Tiranë, Edmond Pjetri, në një prononcim për mediat tha se policia po heton rrethanat e ngjarjes.

"Është banor në Sarandë. Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës nga plagët e marra. Policia po heton rrethanat e ngjarjes."

Deri tani autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë. Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Tonin Vocaj mori zyrtarisht detyrën në krye të policisë së Tiranës.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorit/ëve.

Mësohet se viktima është pronar i një hoteli në Sarandë dhe ka disa prona në zonën e Ksamilit.

Policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi. Një pistë tjetër është ajo e aktivitetit kriminal në Greqi për trafik droge.

Informacioni paraprak i policisë

Rreth orës 16.30, në rrugën "Fadil Bodinaku",  në lokalin në pronësi të shtetasit V. Sh., një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin E. P.,  49 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

Vritet biznesmeni në Tiranë, Edmond Papa u qëllua në