“Ethet” e garës për kreun e SPAK/ Dumani, Xholi e Kondili kandidatë për drejtimin e Prokurorisë

Garës së ethshme për kreun e SPAK po i vjen fundi. 11 anëtarët e KLP-së do të votojnë të premten për të zgjedhur drejtuesin e ri të këtij institucioni. Kandidatët Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili do të shpalosin para antarëve platformën e tyre e më pas do ti përgjigjen pyetjeve. Votimi zhvillohet në fazën finale të seancës, ku ai që merr mbështetjen e më shumë anëtarëve të KLP-së do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme në 3 vitet që vijnë.

11 antarët e KLP-së mblidhen të premten për të zgjedhur kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Tre kandidatët në garë janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Evdin Kondili.

Këta dy të fundit, aktualisht janë zv/drejtues të SPAK-ut për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kandidati Adnan Xholi vetëm pak javë më parë finalizoi edhe operacionin në bashkëpunim me DEA amerikane ku në Fratar të Madh të Fierit u kapën një sasi prej 430 kg kokainë.

Altin Dumani, i cili shikohet si më i preferuari nga të huajt, kjo për shkak edhe të operacioneve të përbashkëta, ka drejtuar një sërë hetimesh kundër krimit të organizuar. I fundit ishte dosja “Plumbi i artë” ku u arrit kapja e vrasësve me pagesë si dhe zbardhja e disa ngjarjeve kriminale të mbetura ndër vite pa autor.

Kandidati tjetër Edvin Kondili është më shumë i përfshirë tek hetimet që kanë si çështje korrupsionin. Një nga dosjet më të rëndësishme është ajo e koncesionit të sterilizimit për të cilën megjithë kohën e gjatë të hetimit nuk ka një vendim. Dosja bën fjalë për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit të Ofertave, ndërsa së fundi është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Në seancën e të premtes, tre kandidatët kanë nga 30 minuta kohë për të shpalosur platfomën e tyre.

Më pas anëtarët e KLP-së do tu bëjnë pyetje kandidatëve dhe në fund të këtij procesi do të zhvillohet votimi.

Kandidati që merr më shumë vota do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ndërsa në rast balotazhi situata zhbllokohet nga vota e kryetarit.

Drejtuesit aktual të SPAK, Arben Kraja, i përfundon mandati në 18 dhjetor, ndërkohë që pas largimit nga kjo detyrë ai mbetet prokuror i SPAK deri në përmbushjen e mandatit 9 vjeçar.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.