Berisha thirrje socialistëve të mos pranojnë diktatin: Edi Rama dridhet nga ne, kjo situatë zgjidhet me revolucion

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje socialistëve të mos pranojnë diktat nga një njeri që ka kthyer platformën e Enver Hoxhës brenda partisë.

Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ai tha se kur kjo parti të vijë në pushtet ligji i parë që do të miratojë do të jetë ai për të detyruar partitë politike të zbatojnë normat bazë të demokracisë, duke marrë shembullin e Bundestagut gjerman.

Berisha: Partia Demokratike ngjason me një ishull ku drita e votës përcakton dhe ndriçon. Jashtë saj është terri i shpellës më i zi se kudo me partinë e krimit dhe drogës me në krye Edi Ramën. Aty nuk votohet, aty diktojnë banda dhe krimi. Dhe mund të them me bindjen më të plotë se ajo parti në këtë formë është një fatkeqësi e madhe kombëtare. Është një potencial për transfigurime në çdo variant anti demokratik.

Ftoj anëtarët e kësaj partie të mos pranojnë këtë diktat të një njeri që ka kthyer platformën e Enver Hoxhës brenda partisë se nuk do të jetë e largët dita kur do të ndihen të damkosur në shoqërinë shqiptare. Asgjë dhe askush nuk duhet t’u mohojë atyre të drejtën e votës. Shqiptarët janë ata që e pësuan më shumë se çdo komb tjetër në Europën e pas luftës delegimin e ndërgjegjes. Është dorëzim para krimit, drogës dhe mafies. Dhe ajo sjell vetëm të zeza për PS dhe vendin, anëtarësinë e saj. U them socialistëve mos u mashtroni dhe u rikujtoj këtu se disa vite më parë Edi Rama vendosi nenin sipas të cilit për kryetarin nuk votohet.

Kur ai zgjidhet. Por ai po vjedh votën. Tani ai u hoqi ju të drejtën të votoni edhe për të gjitha forumet e tjera. Një ligj do përgatitet sa më shpejt për të detyruar çdo parti politike që të zbatojnë normat bazë të demokracisë në jetën e saj, Ky ligj është miratuar nga Bundestagu gjerman që ka detyruar zbatimin e standardeve demokratike. Uroj që anëtarët e PS të detyrojnë përfaqësuesit e tyre ta votojnë këtë ligj ndryshe i garantoj që ligji i parë që do votohet dhe kush nuk e voton do dalë jashtë ligjit.

Berisha pati një thirrje dhe për anëtarët e Partisë Demokratike  duke i ftuar në një analizë për ekzistencën e saj dhe fatin përcaktues si forcë politike.

Kryedemokrati theksoi se kjo situatë zgjidhet vetëm me revolucion, ndërsa shtoi se Edi Rama dridhet nga demokratët.

Berisha: Ne duhet t’u themi të vërtetën shqiptarëve. Nuk ka votë të lirë me Edi Ramën. Makineria elektorale është më e egër se asnjëherë. Ka një javë që flet për patronazhistët. Terroristë të kuq. Droga lumenj nga të gjitha anët.Ne jemi ekipi politik i opozitës. Ne duhet të bëjmë diskutim të hapur me njëri tjetrin. Do të ishte e pafalshme. Duhet të na dënojnë qytetarët në rast se ne vazhdojmë avazin si vazhdonim. Nuk ka më avaz si vazhdonin. Votën e futëm për vete në parti. Ky kërkon të na zhdukë Ta provojë. Ky shtyn tre herë gjyqin sikur ta ketë një takim me shefin e kabinetit të tij. Koha është për revolucion. Kjo situatë zgjidhet vetëm me revolucion. Kësaj situate i dalin zot vetëm ata që qëndrojnë për të vërtetën. Vendosin të mos mashtrojnë më tej qytetarët shqiptarë.

Ne kemi ardhur vetë deri këtu. Lulzim Basha do të hyjë në histori. Edi Rama nuk arrinte dot kurrë në këto përmasa të një përbindëshi të lirisë shqiptare. Edhe sot është peng i tij. Prokuroria ka hapur dosjen e parave ruse. Që ta ketë ta komandojë. Të bëjë çfarë të dojë me të. Ne gjetëm këtë situatë. Kjo situatë nuk përzgjidhet duke anatemuar Lulzim Bashën sepse ai ka ikur tani. Kjo situatë pret zgjidhje nga guximi ynë dhe përballja me këtë regjim. Unë besoj se kjo frymë duhet të shtrihet te çdo shqiptar. Askush nuk duhet të ketë frikë nga revolucioni. Si mund të ikin shqiptarë. Jemi të bërë të vetmit në Europë. Ndodh ndonjëherë kjo? Të vetmit në Europë. Pse shkretëtirë është këtu?

E mbyll këtë fjalë timen duke ju ftuar ju të nderuar anëtarë dhe anëtare të PD dhe çdo anëtar të kësaj partie të ndalet në një analizë, në një debat i cili duhet të jetë përcaktues për fatin e kësaj force politike. Nëse forca jonë politike nuk i jep zgjidhje problemeve që ka, është e dëmshme dhe jo e dobishme ekzistenca e saj. Është mashtrim ekzistenca e saj. Ne sot jemi të vërtetë. Edi Rama dridhet nga ne, dhe ne kemi 1 mijë arsye për t’iu përveshur atij. Kam besim të plotë se në këtë betejë ne do të fitojmë. Është e vështirë të mposhtet e drejta e një populli.