Burg për ish drejtoreshën e OSHEE-së, nën akuzë për tenderin e 2016 dhe 131 mijë euro ryshfet
Ish-drejtoresha e kabinetit të OSHEE-së Albana Ferraj ka dalë trupit gjykues ku është njohur me masën e sigurisë arrest me burg. Dy vjet më parë ajo u shpall në kërkim nga SPAK me akuzën se kishte përfituar 131 mijë euro në një tender të për shërbim dhe konsulencë.
Pas dy vitesh në kërkim ish-drejtoresha e kabinetit në OSHEE, Albana Ferraj, ka dalë më 11 dhjetor 2022 para trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg.
Ajo ishte shpallur në kërkim nga SPAK në vitin 2020 me akuzën e korrupsionit dhe u vu në pranga më 8 dhjetor
48-vjeçarja, dyshohet se ka marrë një shumë prej 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, në tenderin e zhvilluar nga OSHEE, në vitin 2016.
Objekt i hetimeve kanë qenë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me proçedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138.500.000 lekë.
Kjo proçedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga shoqëria aksionere OSHEE.
SPAK bën të ditur se ka dyshime të bazuara në prova se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali.
Nga veprimet hetimore të kryera sipas prokurorisë, ka rezultuar se Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj proçedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a.
Sipas hetimeve ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë fituese në proçedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016. E dyshuara ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, për të fshehur dhe mbuluar natyrën e kundraligjshme të origjinës së shumës monetare të përfituar në formën e ryshfetit.
Akuzat që rëndojnë mbi të janë “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në tetor 2020 Ferraj u shpall në kërkim por nuk u arrestua pasi kishte ikur nga Shqipëria.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
