"Plani" The Sun: Braverman dhe Sunak gati masat për të goditur emigrantët shqiptarë

Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman po përgatitet për një tjetër goditje ndaj emigrantëve shqiptarë.

Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “The Sun”, i cili raporton gjithashtu se kryeministri Rishi Sunak e ka prioritet çështjen e shifrave të azilkërkuesve që hyjnë ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

“The Sun”, thekson se Sunak ka qenë duke punuar me sekretaren e brendshme në një plan sekret për të ashpërsuar rregullat për emigrantët që hyjnë me gomone.

Dyshohet se plani i Braverman përfshin një paketë të plotë masash për të goditur ata që kalojnë kanalin e La Manshit, për të ndryshuar faturat e hoteleve dhe për të kthyer azil-kërkuesit në vendet e tyre.

Mbi 40,000 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me gomone deri më tani këtë vit.

Në deklaratat e saj, Suella Braverman është shprehur se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.

Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.

Media britanike në shkrimin e saj thekson se tatimpaguesit po paguajnë 6.8 milionë paund çdo ditë për faturat e hoteleve për azilkërkuesit. Shumë pretendojnë se janë skllevër të kohës moderne, në mënyrë që të mund të qëndrojnë dhe të jetojnë në Britani. Por ministrat mendojnë se ligji i prezantuar nga Theresa May është shumë i butë.

Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta.

Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksionojë skema e Ruandës.

Çështja e emigracionit të paligjshëm të të rinjve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe ka vajtur në Parlamentin britanik. Komiteti për Punët e Brendshme thërriti më 7 dhjetor për një dëgjesë Ambasadorin shqiptar Qirjako Qirko në Mbretërinë e Bashkuar.

Deputeti konservator, Tim Loughton e pyeti diplomatin shqiptar nëse kryeministri Edi Rama ishte i shqetësuar për mijëra persona që tentojnë të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij ata janë taksapagues në Shqipëri dhe një pjesë e tyre edhe të kualifikuar.

Por Qirko deklaroi se zgjidhja për emigrimin e paligjshëm është që shqiptarët të mund të emigrojnë në mënyrë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në dukje se Britania e Madhe ka vende pune të paplotësuara dhe ka nevojë për emigrantë.