Rrugët “e arta” rrezikojnë jetë, bllokohet “Rruga e Abrit”, rrëshqitje gurësh në “Rrugën e Kombit”
Rruga e Kombit dhe Ajo e Arbrit, dy ndër akset më të kushtueshme në Shqipëri kanë probleme dhe janë kthyer në disa pika të rrezikshme pas reshjeve të shiut, për shkak të rrëshqitjes së dherave e gurëve. Fshatra të izoluar dhe infrastrukturë e dëmtuar janë pasojat nga jugu në veri.
Rruga e Arbrit u bllokua këtë të dielë, 11 dhjetor, për disa orë për shkak të rrëshqitjeve masive nga shpati i malit pranë Tunelit të Murrizit.
Dhera dhe gurë vërshuan në asfalt duke pamundësuar lëvizjen e mjeteve.
Shiu nxori edhe një herë në pah problematikat e të ashtuquajturit super investim i qeverisë për qarkun e Dibrës.
Edhe një here u vërtetua se Rruga e Arbrit në gjendjen aktuale është ndër akset më të problematike dhe të rrezikshëm në dimër.
Një vit më parë një rrëshqitje në të njëjtin vend ka bllokuar për më shumë se 24 orë aksin që ka probleme e vështirësi për të qarkulluar sa herë ka reshje dëbore.
Rrezik nga rënia e gurëve ka edhe në aksin nacional Burrel - Shkopet në Shkopet ku në disa pika lëvizja bëhet vetëm në një sens.
Rrëshqitjet e dherave e gurëve pas reshjeve janë shqetësim edhe në rrugën e Kombit, kryesisht në zonën e Repsit në Mirditë nga ku vijnë këto pamje.
Në Malësi të madhe. e rrezikshme është bërë lëvizja edhe në segmentin Dedaj – Bogë, pasi përroi I thatë ka dalë mbi rrugë pikërisht në pikën ku dy javë më parë humbën jetën babë e bir .
Në rajonin qendror, kujdes kërkohet në aksin Elbasan –Qafë Thanë për shkak të rënies së inerteve nga malet.
Në lagjen "Granicë" të qytetit të Gjirokastrës përroi i "Çullos" ka shtuar prurjet dhe rrezikon banesat, ndërkohë që është bllokuar lagjja Lenxat në fshatin Lazarat.
Në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, 200 metra pranë tunelit të Skërficës kanë vërshuar ujërat e një përroi malor.
Situata kritike në Tepelenë, ku rruga që të çon në fshatrat malore të Kurveleshit janë bllokuar.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

