Nisin hallet e dimrit! Qindra hektarë tokë e përmbytur. Lumenjtë drejt kuotave kritike
Mbi 400 hektarë tokë bujqësore u përmbytën në njësinë administrative Ana e Malit në bashkinë Shkodër pas reshjeve intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit
Uji ka nisur të shfaqet edhe në rrugën e Obotit, ku banorët janë lajmëruar të tregojnë kujdes pasi situata mund të ndryshojë.
Niveli i ujit në këto fshatra i ka nxjerrë jashtë funksionit kanalet kulluese thonë drejtuesit e bashkisë Shkodër, që i druhen përkeqësimit të situatës.
"Këtu nuk është problemi i kanaleve është problemi i shkarkimit."
Për përmbytjet e pak javëve më parë janë ngritur grupet e punës të evidentimit të dëmeve, por një rikthim të përmbytjeve, ky proces bëhet i vështirë.
"Lusim Zotin që të mos shkarkojnë se para 3 javëve këtë zonë e shpëtoi liqeni që ishte në kuota të ulëta."
Mbi 200 hektarë tokë janë nën ujë në zonën e ish Kenetës së Torovicës në Lezhë, ndërsa përmbytje ka edhe në Fushë Gjormë të Kurbinit.
Në 15 banesa në lagjen Sanxhak të Lacit ka prezencë uji.
Hidrovori i Tales, Balldrenit, Drojës dhe Shllinzave janë në kuota kritike për shkak të prurjeve të shtuara.
Lumi Ishëm doli nga shtrati në Fushë Krujë dhe ka vërshuar mbi tokat e mbjella në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj.
"Përmbytjet ndodhin 3 a 4 herë në vit."
Disa banesa janë rrethuar nga uji ndërsa shumë fshatra nga jugu në veri kanë probleme me energjinë elektrike.
Nisja e shkarkimeve nga HEC Shkopet shton rrezikun e përmbytjeve.
Përrenjt malor e lumenjtë Drini, Vjosa, Seman e Shkumbin kanë shtuar ndjeshëm prurjet.
Ndërkohë në Ballsh një pjesë e murit të stadiumit u shemb nga reshjet e shiut.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

