Arrestohet ish-zyrtarja e OSHEE, SPAK: Albana Ferraj përfitoi 131 mijë euro ryshfet

Ish-drejtoresha e kabinetit të OSHEE, Albana Ferraj është arrestuar nga policia me akuzën e korrupsionit. Dy vjet më parë ajo u shpall në kërkim nga SPAK me akuzën se kishte përfituar 131 mijë euro në një tender të OSHEE, për shërbim dhe konsulencë.

Ish-drejtoresha e kabinetit në OSHEE, Albana Ferraj është arrestuar nga policia e Tiranës dy vite pas shpalljes në kërkim nga SPAK me akuzën e korrupsionit.

Kjo strukturë ka regjistruar procedimin penal në vitin 2020 për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

48-vjeçarja dyshohet se ka marrë një shumë prej 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane në tenderin e zhvilluar nga OSHEE, në vitin 2016.

Objekt i hetimeve kanë qenë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138.500.000 lekë.

Kjo procedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga shoqëria aksionere OSHEE.  

SPAK bën të ditur se ka dyshime të bazuara në prova se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali.

Nga veprimet hetimore të kryera sipas prokurorisë, ka rezultuar se Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë fituese në procedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.

Sipas hetimeve, e dyshuara ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, për të fshehur dhe mbuluar natyrën e kundraligjshme të origjinës së shumës monetare të përfituar në formën e ryshfetit.

Në tetor 2020 Ferraj u shpall në kërkim por nuk u arrestua pasi kishte ikur nga Shqipëria.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.