Vuçiç legjitimon dhunën: Normaliteti, pas miratimit të asociacionit në veri

Shtetet e Bashkuara dhe EULEX dënojnë sulmet e serbëve ndaj ndërkombëtarëve, por edhe policisë së Kosovës. Nga ana tjetër, Aleksandër Vuçiç legjitimon aktet e dhunës duke shprehur mbështetje ndaj serbëve të Kosovës. Sipas tij kthimi i normalitetit në veri do të vijë vetëm pas formimit të asociacionit të komunave serbe.

Policia e Kosovës është sulmuar me armë gjatë patrullimeve në veri në rrugën drejt pikës kufitare të Bërnjakut.  Ndërkohë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.

Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, por EULEX i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.

Duke i dënuar këto ngjarje EULEX njofton se do ta vazhdojë punën për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe për sigurinë e qytetarëve.

Këto sulme i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Ku ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.

“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkruan Hovenier në Twitter.

Por përkundrazi apelit të ndërkombëtare për ulje të tensioneve në veri të Kosovë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç duket se I legjitimon aktet e dhunës.

Përmes një mesazhi të posaçëm drejtuar serbeve që jetojnë në Kosovë ai shprehet se “Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim”.

Sipas tij, serbët edhe e një herë janë të detyruar të mbrojnë vatrat e tyre me barrikada.  Më tej ai kushtëzon rikthimin e situatës normale në veri me formimin e asociacionin e komunave serbe në Kosovë. 

“Ne vazhdojmë luftën me të gjitha mjetet ligjore për paqen, për një jetë më të mirë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Serbia do të fitojë”, përballet mesazhi i presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.