Rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara në veri të Kosovës, KFOR e EULEX në monitorim

Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të vendit, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë - drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

Pasditen e 10 dhjetorit në Rudarë, serbët lokalë u mblodhën në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb. Ata vendosën barrikada në këtë vend.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë.

Situata e përgjithshme e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka qenë e tensionuar.

Dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh.