Kurti: Serbia do të kthehet në Kosovë për të vazhduar luftën, po kërcënohet i gjithë rajoni

Kryeministri Albin Kurti përmes një dalje për mediet së bashku me ministrin e Brendshëm, u shpreh se 23 vjetëve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënoi përsëri me luftë.

Kurti tha se mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm dhe se në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë.

Kurti: Serbia nuk po e fsheh që kërkon rikthim në Kosovë, në esencë kërkon që ta vazhdojë luftën. Luftën që e humbi dhe kapitullimin që e pranoi në Kumanovë në vitin 1999. Mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit mbeti përherë e dhimbshme përkundër kundërshtimit me protesta popullore. Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodh as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu.

Kurti ka shtuar se me kriminelë si Radojçiç dhe Veselenoviç bëhej marrëveshje edhe për të formuar qeverinë por edhe për të blerë qetësinë në veri të Kosovës.

Kurti: E kemi thënë që nga fillimi që Qeveria është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë serbët. Ne jemi qeveria më demokratike dhe progresiste në rajon. Duam që serbët të marrin pozitat që u takojnë. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë. Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar mungesën e ligjit të plotë në veri, po i mbanë peng qytetarët serbë. Për shkak të brishtësisë së situatës, kemi toleruar shtyrjen e veprimeve tona. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë veprim që kemi marrë. Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim është kërcënim për gjithë rajonin tonë. Ne pas mbledhjes erdhëm në vendim për më shumë vigjilencë e siguri.