Svelça demaskon propagandën e Vuçiç: Grupet tuaja kriminale sulmuan policin tonë, dhe KFOR e di
Ministri i Brendshëm i Kosovës thotë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç me propagandë po përpiqet të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale në veri të Kosovës.
Reagimin e lidh lidhur me deklaratat e presidentit serb, sipas të cilit zyrtyari policor i Kosovës nuk është lënduar me plumb por me xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.
Aleksandër Vuçiç, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviçit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.
Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.
Sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë.
Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiç, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiç kanë shtënë për t'i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë.
Propaganda e tij më nuk gjenë adresë, askund. Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiç dhe jo vetëm.
Svelça publikon dhe foto të policit i cili duket se ka marrë plumb në shpatull. Dhe për ngjarjen ka dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë.
