Kurti: Doli plani i Vuçiçit, largoi policët serbë të qëllohet mbi të tjerët

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në konferencë për media, dolën kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kryeministri Kurti deklaroi se koordinimi i Kosovës me faktorin ndërkombëtar për vendimet e fundit, e ka lënë pa ndonjë argument Serbinë e cila tani është e gatshme në çdo mënyrë të krijojë kaos.

“Ata dëshirojnë që nga Franca e Gjermania, të shkojnë tek Kina e Rusia”, tha Kurti, duke aluduar në dërgimin e Kosovës në KS të OKB-së.

“Kryeministrja e Serbisë e zgjodhi Kinën që të japë deklarata për kërkesë për kthim të ushtrisë në Kosovë, sepse Serbia është e interesuar që ta afrojë Kinën me Rusinë e me këto dyja, ta trajtojë në KS raportin me Kosovën”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti deklaroi se vazhdimisht Serbia frynte numrat e civilëve serbë që duhet të kthehen në Kosovë, por tani nuk flet për këtë temë, por për kthimin e ushtrisë në Kosovë.

“Është një nga shtetet me numrin më të lartë të armëve për kokë banori”, tha kryeministri.

Kurti tha se asnjë vendim i qeverisë së Kosovës nuk është anuluar, por është treguar ndjeshmëri karshi brengave të  partnerëve ndërkombëtarë.

“Nuk jemi zmbrapsur nga vendimet. Nëse kjo mund të quhet zbutje nga dikush, le ta quajnë, por nuk jemi zmbrapsur”, tha ai.

Kurti tha se tash nuk është në tryezë as çështja e targave ilegale e as e zgjedhjeve për kryetarë komunash në veri.

“Andaj duke mbetur pa pretekste, ata janë të gatshëm të shpikin gjithçka për të zbatuar  planin e tyre për barrikadim”, tha Kurti, duke i bërë thirrje KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes.

“Bllokimi rrugëve publike nga bandat kriminale, për të penguar lëvizjen e lirë e lëvizjes, e të cilët qëllojnë mbi policinë tonë e atë të EULEX-it, është e pa pranueshme”.

Ai tha se KFOR-i po kërkon pak kojë që të kryhet shpejt kjo ojnë. “Nëse pritja jonë e KFOR-it është zbutje, le të quhet si e tillë”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se ajo që e brengos më shumë është qëllimi i vërtetë tash që del për dorëheqjen e policëve serbë nga Policia e Kosovës, urdhëruar nga Beogradi.

“E kjo është që në Kosovë të mos ketë uniforma në të cilat janë serbët. Bandat  kriminale të mund të qëllojnë mbi Policinë e Kosovës sepse aty nuk ka serbë”, tha Kurti, “ose të qëllojnë mbi EULEX-in mbi ndërkombëtarë”.

Në këtë mënyrë, Kurti tha e urdhri i Beogradit që të tërhiqen serbët nga Policia e Kosovës është që bandat kriminale ta kenë sigurinë e plotë se aty nuk ka serbë.

“Kjo tregon çfarë mendësie etnike ekskluzive  kanë ata. E kjo duhet të regjistrohet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë”./rtklive/