Kurti u hap sytë BE-SHBA: Serbia kërkon destabilizimin e Kosovës. Të hiqen barrikadat e kriminelëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me situatën në veri të vendit.

Kurti akuzon Serbinë se ka disa ditë që kërcënon Kosovën me agresion. Ai deklaron se thirrjet e drejtuesve serbë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë synojnë dy qëllime.

"Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)".

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan thotë Kurti. Në të kundërt, Serbia me këtë udhëheqje që ka është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse.

Kurti thekson se Kosova nuk do konflikt por paqe dhe progres. Por nga ana tjetër agresionit do t’i përgjigjet me gjithë fuqinë që kemi.

"Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak. Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës".

Kurti thotë se Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia.

"Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë".