Borell: BE nuk do t’i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it, të hiqen menjëherë barrikadat e grupeve serbe

Përmes një reagimi në Twitter Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pas sulmit ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it.

Ai shkruan se BE-ja  nuk do të tolerojë sulme të tilla dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë, derisa ka kërkuar që të shmanget përshkallëzimi.

Borell: BE nuk do t’i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it ose përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin

Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Hovenier ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe se autorët duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë së Kosovës.