Sulmohet policia e Kosovës, efektivët qëllohen me armë pranë liqenit të Ujmanit

Policia e Kosovës është sulmuar me armë gjatë parullimeve në veri në rrugën drejt pikës kufitare të Bërnjakut. Fatmirësisht nga shkëmbimi i të shtënave nuk ka pasoja në njerëz.

Njoftimin për media, bëhet me dije se njësitet policore janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri grupeve kriminale të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të  liqenit të Ujmanit. Në vetëmbrojtje njësitet policore janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Policia e Kosovës tha se në disa zona të ndryshme në veri janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri”.

Para këtij episodi, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Ai tha se e di që kjo kërkesë do të refuzohet por, paralajmëroi se Serbia do të kërkojë mënyra të reja ligjore për të arritur qëllimin e saj.

Paralajmërime të ngjashme kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkovic, por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se territorin e vendit nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Për ngjarjet në veri reagoi edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili tha se Serbia po kërcënon Kosovën me agresion ndërkohë që Prishtina nuk kërkon konflikt, por i bën thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të reagojë ndaj akteve të Beogradit.

 

Kurti: Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.  Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviçit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).  Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak. Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuçia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.