Marrëveshja për detin, ambasadorja greke zbulon çfarë vendosën kryeministrat. Mitsotakis viziton jugun brenda këtij viti
Kreu i qeverisë greke, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi me 8 dhjetor teksa ishte në Tiranë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor se Greqia dhe Shqipëria ishin afër një kompromisi për marrëveshjen e detit.
Ai shtoi se vendimtar në këtë proces është qëndrimi që do të mbajë gjykata ndërkombëtare ndërsa ka shtuar se pret bashkëpunim nga pala shqiptare.
Të njëjtën gjë konfirmoi nga Korça, Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë duke shtuar se brenda këtij viti kryeministri grek do të kthehet për një vizitë të minoritetit grek në jug të vendit tonë.
"Pardje janë takuar të dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe i Greqisë. Që të dy kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar sa më shpejt të jetë e mundur. Të përparojnë procedurat në mënyrën që parashikohet nga legjislacioni, që të vendosen disa çështje për ndarjen e kufijve detarë në Gjykatën e Hagës".
Pyetje- A keni një koment per anulimin e vizitës në jug të kryeministrit grek?
"Jo nuk kam asnjë koment, premtoj që do të vijë shumë shpejt, brenda këtij viti bashkë me kryeministrin shqiptar".
Pyetje-Çfarë komenti keni lidhur me kthimin në kufi nga autoritetet shqiptare të Babis Karathanos?
"Nuk kam një njoftim".
Sa i takon pritjeve dhe radhëve në dogana, ajo u shpreh.
"Miqësia është diçka që dihet midis dy shteteve dhe për atë punojmë edhe unë edhe nga Greqia. Punojmë për funksionimin sa më të mirë të punës në dogana dhe shpresojmë se çdo gjë do ecë në hapat e duhur.
Pyetje-Sa herë ka festa shqiptarët vuajnë në kufi, si në Kapshticë edhe në Kakavijë për shkak se pala greke vazhdimisht punon me sportele të reduktuara dhe shqiptarët presin me orë të tëra. Kaq e pamundur është për të shtuar numrin e sporteleve në raste te tilla?
"Faleminderit që më informuat. Do ta shikoj me doganat se cili është problemi për këtë çështje dhe unë shpresoj qe miqtë tanë shqiptarë të mos kenë asnjë problem në doganë. Do ta shikoj me përparësi".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
