Fitoi betejën me ministren, Vokshi: Evis Kushi të dorëhiqet menjëherë
Gjykata ditën e sotme ka shpallur të pafajshme Albana Vokshin. Vokshi ishte paditur për shpifje nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi.
Në një prononcim për mediat pas vendimit të gjykatës Vokshi kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Kushit.
Sipas demokrates krimi ndaj arsimit është një nga krimet më të mëdhaja të qeverisë Rama.
Albana Vokshi: Gjykata sot më dha të drejtë, më shpalli të pafajshme duke rrëzuar kështu padinë e Evis Kushit. Krimi ndaj arsimit është një nga krimet më të mëdhaja të qeverisë Rama. Punësimi i militantëve, punësimi i patronazhistëve, dhunimi, shantazhimi, nënçmimi, presioni i përditshëm që i bëhet mësuesve ka sjellë që shumë të rinj shumë prindër të mos besojnë më në arsimin shqiptar. Përgjegjës për këtë janë Edi Rama dhe Evis Kushi.
"Meqenëse nuk pres asnjë vendimmarrje nga ana e Edi Ramës unë sot i kërkoj Evis Kushit që pas këtij vendimi të gjykatës të dorëhiqet menjëherë. Ajo është një nga shkaktaret kryesore të degradimit të arsimit. Shifrat e largimit të nxënësve e studentëve nga arsimi janë tronditëse. Largohen sepse nuk i besojnë arsimit, për këtë përgjegjës është Edi Rama dhe Evis kushi. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin në duar fatet e tyre fatet e fëmijëve të tyre."
